Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dritë udhëheqëse e Kosovës drejt integrimit në NATO, tha ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, në takimin me përfaqësuesen e përhershme të ShBA-ve në NATO, Kay Bailey Hutchinson.

“Ishte nder i veçantë për mua të takoj Ambasadoren Hutchinson. Shpreha mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë në të gjitha proceset për Kosovën si dhe përkrahjen e vazhdueshme për avancimin dhe modernizimin e Ushtrisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s”, tha Haradinaj-Stublla

Në këtë takim ministrja tha se Kosova është e gatshme për të ecur përpara drejt integrimit të plotë në NATO, dhe se ky rrugëtim do ta bëhet me punë, angazhim e koordinim të plotë me aleatin e saj të përhershëm – ShBA-të.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO, sipas Haradinaj-Stubllës, do të thotë më shumë paqe, siguri dhe mbrojtje kolektive për të gjithë familjen e madhe euro-atlantike./21Media