Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla sot përshëndeti votimin e suksesshëm në takimin e sotëm midis RGCE – ENTSO-E, i cili jetëson pavarësimin energjetik të Kosovës.

Në këtë takim, siç informoi MPJ, u votua hyrja në fuqi e marrëveshjes së kyçjes në mes Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E), e nënshkruar më 30 qershor 2020.

“Sukses i plotë, u jetësua pavarësimi energjetik të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë operatorët nga shtetet mike, por edhe nga ato që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që votuan dhe na përkrahen në kuadër të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale, që nga sot marrëveshja të hyjë në fuqi”, tha Ministrja Haradinaj Stublla.

Kryediplomatja citohet se u shpreh se jetësimi i pavarësisë energjetike për Republikën e Kosovës është një lajm i rëndësishëm për popullin dhe shtetin e Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe plotësimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

“Shpreh mirënjohjen e thellë Gjermanisë, Francës, Italisë dhe gjitha vendeve anëtare të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale. Ky sukses vjen pas një fushate të fuqishme dhe intensive të realizuar me sukses bashkë me miqtë e aleatët tanë. Urime Kosovë e dashur!”, u shpreh tutje Ministrja Haradinaj Stublla./21Media