Haradinaj: VV nuk po ngutet para datës 5 prill për çështjen e presidentit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se Lëvizjes Vetëvendosje nuk po i ngutet që para datës 5 prill të zgjidh çështjen e presidentit.
Para seancës plenare, Haradinaj tha se LVV po pret që ushtruese e detyrës së presidentes të bëhet kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Duke që në VV e kanë një plan në kohë, fillimisht për ta është me rëndësi që kryetarja e Kuvendit të jetë edhe ushtruese e detyrës së presidentit, pra nuk po nguten para datës 5 pastaj do ta shohim se si do ta menaxhojnë. Por, ne varemi nga iniciativa e tyre, është e pamundur që opozita me marr iniciativë në një temë si kjo. Ju e dini na janë dhënë 34 ditë 10 prej tyre shkuan po shihet qartë se është e lidhur me datën kur presidentja aktuale e kryen mandatin dhe ushtruse e detyrës së presidentit vjen Haxhiu, pra VV po pret”, tha ai.
Kreu i AAK-së, deklaroi se meqenëse nuk ka asnjë zhvillim në drejtim të zgjidhjes së çështjes së presidentit, si parti nuk i kanë ende të përcaktuara 6 votat që i kanë në dispozicion.
“AAK ka vota 6 i ka, por nuk i ka të përcaktuar se si me veprua nuk i kemi asnjë zhvillim çfarëdo natyre qoftë dhe shihet qartë që ka të bëjë me kohën po pritet 5 prilli me shkua zonja Osmani me qenë ushtrues detyre Haxhiu e te shohim tani çfarë po bëjnë”, tha ai.
Sot Kuvendi i Kosovës ka seancën plenare ku në rend dite janë 16 pika të cilat kryesisht janë marrëveshje ndërkombëtare.