Sot janë ndërmarrë procedurat e shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Nehat Thaçi. Për këtë të fundit, Ministria e Drejtësisë po pretendon se kanë evidentuar shkelje dhe janë bërë transfere të paligjshme. Ministrja, Albulena Haxhiu ka njoftuar se kanë kërkuar nga Auditori i Brendshëm që të bëjë verifikimin në lidhje me këto dyshime.

Ministrja e Drejtësisë, në një konferencë për media ka përmendur disa shkelje që janë evidentuar për drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçin. Për këtë ajo ka paralajmëruar edhe inicimin e procedurave ndaj tij.

“Para disa ditëve ne kemi pranuar në kabinet disa informacione për shkelje brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ne jemi informuar se në kuadër të ShKK-së janë lidhur kontrata dhe janë bërë transfere të paligjshme. Pas këtyre informatave ne kemi kërkuar nga Auditori i Brendshëm në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë që të bëjë një verifikim në lidhje me dyshimet në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Kontratat për të cilat kemi kërkuar raport auditimi janë: dhënia në shfrytëzim e pronës së MD-së në Vushtrri, pra bëhet fjalë për dhënien në shfrytëzim të pronës publike të MD-së një kompanie pa i plotësuar kriteret ligjore. Kjo kontratë është nënshkruar nga ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe drejtori aktual i ShKK-së. Bëhet fjalë për dy hektarë tokë që kanë qenë pronë e MD-së”, ka shtuar ajo.

Më tutje, ajo ka përmendur edhe marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet “Help”, riparimin i agregateve, procedura e prokurimit lidhur me servisimin e mirëmbajtjes së lifteve, furnizimin me ushqim për qendrën e paraburgimit të Prishtinës, dhe disa çështje tjera që janë të bëjnë me rekrutime.

“Bazuar në gjetjet e këtij raporti, sot procedojmë me kërkesën për ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj drejtorit të përgjithshëm të ShKK-së. Kjo kërkesë do t’i adresohet këshillit shtetëror për vlerësim dhe disiplinës në kuadër të MPB-së”, ka shtuar ajo.

Për detajet e këtyre shkeljeve, ka folur zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu. Sipas tij, këto gjetje tregojnë për një aktivitet kriminal brenda MD-së.

Ai ka shtuar se nënshkrues të kontratës për qiradhënie ka qenë ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe drejtori i SHKK-së, Nehat Thaçi.

“Përmban huqje ligjore me ç ‘rast baza mbi të cilën janë mbështetur nuk jep të drejtën e dhënies në shfrytëzim të parcelës prej 2 hektarë e 12 ari e 17 metra katrorë. Ligji në të cilën janë referuar ka të bëjë me Ligjin për Detyrimet dhe Dispozitat e Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të komunës, e cila përcakton dhe specifikon se pronat që menaxhohen prej institucioneve qendrore nuk mund të jepen në shfrytëzim personave privat e as komunave. Ky gabim i qëllimshëm nuk mund të jetë vetëm gabim, sepse lëshimet e qëllimshme janë krime”, ka shtuar ai.

Kjo marrëveshje të cilën e ka quajtur të kundërligjshme, ai tha se është bërë në këmbim çmimi banal prej 2100 euro në muaj.

Sallahu tha se Auditori ka gjetur parregullsi edhe në nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi mes drejtorit Nehat Thaçi dhe organizatës joqeveritare “Help”.

“Në atë marrëveshje Shërbimi Korrektues i ka ndarë 42 mijë euro për organizatën, e cila nuk ka lidhur asnjë kontratë me persona të tjerë, për të realizuar kontratën me Shërbimin Korrektues. Pra, këtu kemi mungesë të lidhjes së kontratës Help dhe personave të tjera, me qëllim të realizimit të komponentëve të caktuar. Përveç kësaj marrëveshja, sipas ligjit, nënshkruhet nga ministri, por ajo marrëveshje jashtëligjshëm është lidhur dhe zbatuar pa nënshkrimin e tij. Si e tillë është nënshkruar vetëm nga Thaçi dhe sipas raportit të Auditorit lë shumë dyshime për keqpërdorime financiare ”, shton ai.

Ai tha se janë bërë edhe shkelje tjera, në rastet e riparimit të gjeneratorëve me Burgun e Sigurisë së Lartë, ku nga Shërbimi Korrektues një litër vaj është blerë 15 euro. E sipas çmimit të tregut ai kushton përgjysmë më lirë. Po ashtu, vetëm një pajisje e këtyre gjeneratorëve është blerë për vetëm një euro, kurse në treg kushton mbi 1 mijë euro.

“Për të gjitha këto kemi ndërmarrë procedurat e shkarkimit e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi dhe gjithashtu ftojmë prokurorin e Shtetit për të hetuar dhe zbardhur veprat e dyshimta penale të shtjelluara në Raportin e Auditorit”, ka theksuar ai.

Më tutje, i ka bërë thirrje edhe operatorit ekonomik, i cili është regjistruar pas-afatshëm që të ndalë punimet në pronën publike, ku aty parashihet që të ndërtohen objekte afariste.