Haxhiu: Kodi civil së shpejti në Kuvend, besoj se do të kalojë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka shprehur bindjen se Projektkodi Civil do të miratohet në Kuvend, duke e cilësuar atë si një dokument me rëndësi të jashtëzakonshme. Megjithatë ajo  nuk dha afate kohore se kur do të procedohet ky projektligj në lexim të dytë. Haxhiu po ashtu bëri të ditur se qeveria ka miratuar Projektligjin për ekspertët gjyqësor.
Projekt kodi Civil nuk kaloi në leximin e parë në muajin mars, kur shumica e deputetëve nuk i dhanë dritën jeshile. Mospajtimet lindën për shkak të një neni që mundëson lejimin e regjistrimit të “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.
Por, tani kur kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga shqyrtimi i parë, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, shfaq shpresën se Kodi Civil do të marrë mbështetjen e nevojshme në leximin e dytë.
“Unë nuk them në asnjë mënyrë se secili prej deputetëve të grupit parlamentar do të votojë për, ka ende e disa që i kanë qëndrimet dhe bindjet e tyre por them edhe njëherë, qeveria dhe grupi parlamentar në shumicë angazhohet për avancimin e të drejtave të njeriut. Jo vetëm për hirë tonin si shtet, mirëpo për hirë edhe të proceseve në të cilat ne kemi aplikuar. Aplikimi në Këshillin e Evropës është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe për tu bërë anëtar ju e dini që duhet të respektohen së pari të drejtat e njeriut, andaj unë besoj që do ta kemi mbështetjen jo vetëm të grupit parlamentar të Vetëvendosjes por edhe opozitës”, tha ajo.
Haxhiu tha se Projekt Kodi Civil do të procedohet shumë shpejtë në Kuvend.  Ndërkaq bëri të ditur se Qeverisa ka miratuar projektligjin për ekspertët gjyqësor. Ajo tha se ky ligji parasheh edhe themelimin e komisionit disiplinor që i trajton shkeljet e ekspertëve.
“Përmes ligjit do të rregullohet dhënia dhe marrja e licencave si dhe përtrirja e tyre përmes kushteve dhe kritereve të qarta për lëmi të ndryshme të ekspertimit, pra nuk do të vlejë më parimi një herë ekspertë gjithmonë ekspert pasi që licenca do të vlejë në afat prej pesë vitesh nga dita e lëshimit të licencës, ndërsa rastet kur ka keqpërdorime apo ankesa për punën e ekspertit gjatë rilicnecimit do të merren parasysh dhe mund të mos i vazhdohet licencimi nga Ministria e Drejtësisë, sepse përgjegjëse për këtë do të jetë Ministrja e Drejtësisë”, tha Haxhiu.
Sipas Ministres Haxhiu, projektligjin për ekspertët gjyqësor, parandalon, siç tha  abuzimin që ekspertët deri tani kanë mundur ta bëjnë me ekspertiza, duke mos dhënë përgjegjësi te asnjë institucion./21Media

Back to top button