Haxhiu: Koncepti për punësimin e viktimave të dhunës në familje është në fazën fillestare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u zotua sot se këtë vit do të shtohet buxheti për strehimoret për viktimat e dhunës në familje. Ai u shpreh se grupi punues po bën një analizë të detajuar të gjendjes në Qendrat për Punë Sociale. Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu informoi se janë në diskutim për planifikimin e një koncepti që mundëson punësimin e viktimave të dhunës në familje. Këto u bënë të ditura se në lansimin e projektit “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit”, ku u përmend edhe numri i madh i rasteve të dhunës në familje.

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti u shpreh se secila përpjekje për drejtësi hap shtigje për emancipim dhe solidaritet.

“Ne si qeveri kemi marrë përsipër obligimet që parasheh Konventa e Stambollit, po angazhohemi maksimalisht që të zbatojmë në përpikëri hapat dhe masat që kërkohen nga ne dhe ky angazhim i yni mbështetet në një synim të thjeshtë: që asnjë grua të mos jetojë me frikën e dhunës, e që çdo vajzë të rritet duke u ndjerë e sigurt. Obligimet nga konventa janë edhe thirrje për bashkëpunim më të thelluar mes nesh, me qasje ndërsektoriale për parandalim të dhunës, mbrojtje nga dhuna, ndjekje penale të autorëve dhe politika të integruara. Për një zingjir institucional që funksionon me këtë renditje: përgjigje institucionale në parandalim, mbrojtje dhe trajtim të rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave, vënie të drejtësisë së munguar, shërbime të shpejta dhe cilësore si dhe llogaridhënie institucionale”, deklaroi Kurti.

Derisa përmendi hapat e ndërmarrë, Kurti shtoi se këtë vit do të shtohet buxheti për strehimoret që trajtojnë viktimat e dhunës.

“Këtë vit do të shtohet buxheti për strehimoret që strehojnë viktimat e dhunës. Gjithashtu, kemi avancuar nëpërmjet definimit të dhunës ndaj grave si vepër penale në Kodin Penal. Në kuadër të agjendës legjislative e kemi projektligjin për shërbimet sociale që parasheh reformë të thellë të qendrave për punë sociale, të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare për viktimat e dhunës në familje. Ndonëse, janë 38 qendra për punë sociale dhe ato ofrojnë më shumë se 70 shërbime për qytetarët, në të kaluarën nuk është dhënë atyre vëmendja e duhur. Grupi punues po bën një analizë të detajuar të gjendjes në këto qendra në raport me përgjegjësitë, sfidat por edhe kapacitetet njerëzore”, shtoi ai.

Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se dhuna ndaj grave është një fenomen i rëndë, që i paraprin trajtimi i pabarabartë që nga fëmijëria.

“Gratë dhe vajzat janë shpesh viktima të formave të ndryshme të dhunës, që shpeshherë disa janë edhe vështirë të identifikueshme. Forma të tjera të dhunës shumë prezente në shoqërinë tonë janë edhe ato që definohen në Konventën e Stambollit, që ndërlidhen me dhunën psikologjike, martesat e detyruara, përndjekja, dhuna seksuale përfshirë edhe përdhunimin, ngacmimin seksual, abortin apo sterilizimin e detyruar. Ashtu siç e kërkon Konventa e Stambollit, këto forma të dhunës duhet të kriminalizohen dhe të bëhet përndjekja penale e çdo personi që ushtron çfarëdo forme të dhunës ndaj grave dhe vajzave në Republikën e Kosovës. Shpeshherë rastet e dhunës ndodhë t’u atribuohen shkaqeve të paqena, kështu duke justifikuar atë”, tha ajo.

Lufta ndaj dhunës, siç tha Haxhiu, kërkon përgjigje të të gjitha institucioneve e agjencive të përfshira.

Ministrja e Drejtësisë shtoi se rastet e dhunës në familje nuk po raportohen ende në masën që është e shprehur në shoqëri.

“Së fundi, kemi diskutuar me Ministrinë e Financave, me ministrin Murati, jemi në fazat fillestare të planifikimit të një koncepti që do të adresojë punësimin e viktimave të dhunës në familje. Sepse, konsiderojmë që pavarësia ekonomike është jetike, është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe prandaj jemi në diskutim me Ministrinë e Financave që ta gjejmë zgjidhjen për punësimin e viktimave të dhunës në familje”, tha Haxhiu.

Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power u shpreh se janë duke punuar nga viti 2016 në fushën e luftimit të dhunës ndaj grave.

“Projekti, të cilin jemi duke lansuar sot shpresoj që do të jetë edhe një udhëzues për qeverinë dhe institucionet qeveritare, duke vendosur resurset e tyre aty ku nevojitet, duhet të bëhet edhe për akterët tjerë në fushë, posaçërisht aty ku Kosova duhet të zbatojë Konventën e Stambollit. E di që ka shumë prani të ndërkombëtarëve në Kosovë duke punuar në këtë, për shembull OSBE, UN Women dhe disa organizata të tjera, dua t’i falënderojë shumë për përpjekjet e tyre”, u shpreh ai.

Konventa e Këshillit të Evropës është traktati më i përparuar ndërkombëtar, i cili trajton dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje.

Back to top button