Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën për masë të sigurisë të procesit të noterisë.

E ky vendim i ka pëlqyer ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiut, e cila ka thënë se ky proces është përcjellë me shumë shkelje dhe për këtë arsye është anuluar.

Ajo ka akuzuar ish-ministrin Abelard Tahirin për të cilin ka thënë se po i nxit kandidatët për ta kontestuar anulimin e konkursit.

“Në ditët e para si Ministre, procesin e noterisë i cili ishte përcjellur me shumë shkelje, e kam anuluar. Pas kësaj, vendimi i njëjtë ishte kontestuar në Gjykatën Themelore nga disa kandidatë. Shumë prej tyre ishin të nxitur nga ish Ministri i Drejtësisë. Sot, kuptova që Gjykata, departamenti administrativ, ka refuzuar një kërkesë për masë të sigurisë, gjë që e vlerësoj. Anulimi i këtij procesi nuk ishte hakmarrje ndaj askujt por veprim i duhur për kthim të ligjshmërisë, transparencës e barazisë. Procese të tilla të komprometuara nuk duhet të legjitimuar.”, shkroi Haxhiu në Facebook./21Media