Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhi ka arsyetuar inicimin e ndryshimit të ligjit për gjykimin e krimeve të luftës në mungesë pa konsultim me opozitën, duke theksuar se pas dy dekadash që kur ka filluar kjo iniciativë, nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Ajo tha se në maj, nisin punën për themelimin e Institutit për krimet gjatë luftës në Kosovë.

Ministria Haxhiu tha para deputetëve se asnjë rast deri më tani nuk është gjykuar në mungesë për faktin se siç tha ajo, prokuroria konsideron se ka probleme të hasura në praktikë.

“Me përfundimin e mandatit ekzaktit të EULEX-it lëndët nga ky mision kanë kaluar nën kompetencën e institucioneve vendore. Në kohën kur kanë kaluar tek institucionet vendore janë disa lëndë, e jo pak, janë goxha shumë për të cilat ishte nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve, por për të cilat nuk ishte marrë aktvendim për pezullim. Në mënyrë që prokuroria speciale të ketë kohë dhe mundësi që të trajtoj këto raste dhe të mos rrjedh afati, atëherë është i rëndësishëm ndryshimi që është propozuar si në projektligj. Ndërsa, ndryshimi tjetër, ka të bëjë me atë, se një nga kriteret për t’u gjykuar dikush në mungesë ishte edhe kërkesa që 5 herë duhet të kërkohet personi në fjalë ku supozohet që gjendet. Këtë kriter prokuroria speciale e ka konsideruar vështirë të implementueshëm, andaj, në mënyrë që të hiqen pengesat që mund të vështirësojnë adresimin e rasteve të krimeve të luftës, është propozuar largimi i këtij kriteri”, tha Haxhiu.

Ajo tha se kanë kaluar më shumë se dy dekada prej kur ka përfunduar lufta në Kosovë dhe deri tani nuk ka pasur trajtim serioz të krimeve të luftës. Sipas saj, drejtësia në Kosovë ka qenë në shpërputhje me të vërteten.

Haxhiu theksoi se së bashku me gjykimin e krimeve të luftës janë edhe luftimi i korrupsionit dhe procesi i vettingut.

“Një nga prioritetet të qeverisë tonë, është adresimi serioz i krimeve të luftës. E kemi vendosur prioritet, pra në vij me vetingun, në vij me luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në vij me adresimin e mekanizmave institucional kundër dhunës në familje, është edhe adresimi i rasteve të krimeve të luftës. Në maj do nis puna për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, si dhe do të fuqizohen kapacitetet e prokurorisë speciale në adresimin e krimeve të luftës. Aktualisht në prokurorinë speciale janë vetëm katër prokuror që trajtojnë të gjitha lëndët e krimeve të luftës e konsiderohet që janë afër 800 apo 900 lëndë që janë të trashëguara nga EULEX”, tha ajo.

Kuvendi me 90 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka votuar në parim ndryshimet e Kodit penal.