Haxhiu: Në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, përfaqësimi dhe pjesëmarrja e gruas është qenësore

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se shtetndërtimi i Kosovës nuk do të ishte i mundur pa angazhimin e grave.

Këto deklarata i bëri në ditën e dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

“Kosova në dekadat e fundit ka kaluar nëpër procese shumë të rëndësishme, të cilat kanë qenë vendimtare në funksionin e saj si shtet, ato nuk do të ishin të mundshme pa angazhimin e përkushtimit të grave. Gjatë luftës gratë u bënë subjekt i dhunës seksuale dhe krimeve të kryera ndaj tyre, përkundër të gjitha vështirësive që kanë kaluar gratë, ato të Kosovës, na kanë dëshmuar sesa të forta janë’ – u shpreh ajo.

Ministrja Haxhiu tha se edhe në ballafaqimin me të kaluarën pjesëmarrja e grave është e pazëvendësueshme.

“Në procesin e ballafaqimit me të kaluarën përfaqësimi i gruas dhe pjesëmarrja është qenësore pasi që kontributi i grave ka qenë dhe vazhdon të jetë i pazëvendësueshëm. Konsideroj se një qasje gjithëpërfshirëse është e pamundur pa pjesëmarrjen aktive të gruas jo vetëm për hartimin e politikave por edhe në implementimin e tyre” – tha ministrja Haxhiu.

Haxhiu tha se në iniciativat në ministrinë e Drejtësisë, sidomos në adresimin e krimeve të luftës 60 për qind të anëtareve të grupeve punuese janë gra.

“Kontributi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm dhe sigurisht i jam falënderuese që na kanë ofruar pikëpamje të ndryshme se si duhet të adresohen çështjet që lidhen me krimet e luftës”, tha ajo.

Yevheniia Kravchuk, deputete në parlamentin e Ukrainës, ka thënë se menjëherë pas fillimit të konfliktit kanë filluar mbështetjen dhe dokumentimin e rasteve të dhunës seksuale

“Ne kemi 20 për qind të grave në parlamentit të Ukrainës, që janë shumë aktive, kemi fillu me mbledh dëshmi shumë herët që nga fillimi i konfliktit, policia jonë ka krijuar njësi speciale që janë angazhuar për rastet e dhunës seksuale dhe pajtohem se gratë nuk duhet me qenë vetëm në tavolina duke diskutu por duhet me qenë edhe vendimmarrëse” – tha Kravchuk.

Emily Kenney, eksperte e politikave, sundimit të ligjit dhe drejtësisë tranzicionale në UN woman ka listuar disa arsye përse është i nevojshëm përfaqësimi i grave në vendimmarrje.

“Pjesëmarrja e grave është e rëndësishme sepse është e drejtë themelore, e dyta kur gratë marrin pjesë i sfidojmë strukturat diskriminuese politike, kur gratë marrin pjesë e shohim se gratë janë agjente të ndryshimit, kur krijojmë përfshire të madhe të grave shohim edhe pjesëmarrje të grupeve të tjera të shoqërisë. Më shumë barazi gjinore do të thotë më shumë paqe dhe prosperitet për të gjithë”- tha Kenney.

Delphine Borione, ambasadore për të drejtat e njeriut në Francë tha që vendet duhet të jenë të pakompromis në dënimin e rasteve të dhunës seksuale.

“Dhuna seksuale shpesh përdoret si armë e luftës për të terrorizuar popullatën, kjo lloj dhune shkatërron gjenerata. Viktimat e dhunës seksuale nuk trajtohen si duhet, mirëpo ne duhet të jemi të pakompromis ndaj dënimeve për këto raste”- tha Borione.

Në Prishtinë dje dhe sot po mbahet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili organizohet  nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mbështetur nga EULEX-it./kallxo

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button