Haxhiu për masakrën e Dubravës: Kjo ditë na rikujton dhunën, torturën dhe masakrën e forcave serbe

Me rastin e 23 vjetorit të masakrës së Dubravës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se kjo ditë na rikujton dhunën, torturën dhe masakrën që forcat serbe e kanë bërë ndaj të burgosurve shqiptar në Dubravë.

Haxhiu ka theksuar se Kosova sot më shumë se kurrë ka nevojë për policë, gjyqtarë e prokurorë të cilët kanë në fokus të punës së tyre adresimin e krimeve të luftës.

Me këtë rast ajo iu drejtua studentëve të Fakultetit Juridik me kërkesën që të përgatiten profesionalisht në këtë drejtim me qëllim të vënies së drejtësisë për të kaluarën dhe krijimit të një të ardhme më të mirë.

”Unë shpresoj shumë që gjeneratat e ardhshme si ju, do të profilizohen në adresimin e krimeve të luftës, në hetimin dhe hulumtimin e tyre, në mënyrë që e kaluara jonë të jetë shkak i fuqizimit të Kosovës, i krijimit të paqes së qëndrueshme dhe respektimit të të drejtave të njeriut” tha Haxhiu.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, njëherit i mbijetuar i masakrës së Dubravës, i cili tha se burgu i Dubravës është dëshmia më makabre e pushtuesit Serb, e po ashtu edhe vendngjarja e krimit gjenocidal të tyre ndaj të burgosurve shqiptar, njëheras një prej episodeve më të tmerrshme të historisë sonë.

“Pikërisht 23 vjet më parë, më 22 maj 1999, forcat serbe për disa ditë maltretuan fizikisht dhe psiqikisht të burgosurit, para se t’i ekzekutonin më shumë se 100 prej tyre. Si të mbijetuar të masakrës së Dubravës, jemi burim i kujtesës kolektive, që gjeneratat e ardhshme ta kuptojnë e shpjegojnë ashtu siç ishte: krim kundër njerëzimit dhe akt gjenocidal”, theksoi Aliu.

Me këtë rast ministrja Haxhiu së bashku me dekanin e Fakultetit Juridik të UP-së, Avni Puka, të mbijetuarin e masakrës së Dubravës, deputeti Enver Dugolli, të shoqëruar nga studentët e Fakultetit Juridik, kanë vizituar sot pavionët dhe hapësirat e Qendrës Korrektuese në Dubravë./21Media

Back to top button