Haxhiu: Po vidhet në barna dhe ilaçe të pacientëve

 

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë (MSh) po lufton për të kontraktuar një kontratë për furnizim me insulina me çmim prej 400 mijë eurove më shtrenjtë. Sipas tij, kështu po bëhen pazare dhe përfitime materiale të krerëve të këtij dikasteri.

Deputeti Haxhiu, në seancën e sotme theksoi se Kosova është i vetmi vend në botë që ka zero vaksinim me dozën e dytë e vaksinës antiCOVID-19. Sipas Haxhiut, brengë mbetet edhe mungesa e barnave nga lista esenciale.
“Ka muaj që në Kosovë institucionet publike nuk janë të furnizuara me insulinë. Dhe kjo mungesë nuk është se nuk ka mundësi që të sigurohet një kontratë valide, por se po bëhet për pazare dhe përfitime materiale të krerëve të MSh-së. 400 mijë euro më shtrenjtë është lufta e MSh-së për të kontraktuar kontratën me furnizim me insulinë. Ky çmim për 400 mijë euro më shtrenjtë që po bën betejë MSh e udhëhequr nga Arben Vitia është në kundërshtim me vendimin e OShP-së (Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik)dhe rekomandimet e KDI-së për kontraktimin e barnave dhe produkteve mjekësore”, ka deklaruar ai.

Ai ka kërkuar nga ky dikaster që të zbatojë udhëzimin administrativ për barna dhe produkte mjekësore të kontraktuar dhe nënshkruar nga ish-ministri, Uran Ismaili.

“Ju rikujtoj se një vit më parë kjo udhëheqje e MSh-së ka kontraktuar barna dhe pajisje mbrojtëse deri 3 mijë për qind më shtrenjtë. Për mua është shqetësuese se si në buxhetin e shtetit po vidhet në barna dhe ilaçe të pacientëve”, tha ai.

Back to top button