Haziri: Kurti i vetizoluar, e shpalosi platformën përpara Vuçiqit dhe jo partive parlamentare të Kosovës

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i tha RTV21 se Qeveria Kurti e ka degraduar procesin e dialogut drejt vetizolimit duke e mbajtur të mbyllur atë edhe për qytetarët e Kosovës. Haziri tha se marrëveshja gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ratifikohet në Kuvendet e të dyja shteteve, por ajo, sipas tij, duhet t’i prezantohet Kuvendit të Kosovës sa më parë. Nënkryetari i LDK-së e kritikoi kryeministrin Kurti edhe për shpalosjen e platformës para presidentit serb Vuçiq më përpara se atë ta bëjë para partive parlamentare në Kosovë. Zoti Haziri foli me kolegun Ilir Berisha vetëm një ditë pas takimeve të opozitës së Kosovës me të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar dhe atë të BE-së, Miroslav Lajçak.
RTV21: I dërguari amerikan, Gabriel Escobar e diplomati i BE, Miroslav Lajçak të cilët qëndruan në Prishtinë u takuan edhe me opozitën. Çfarë kërkuan ata nga ju si opozitë?
Lutfi Haziri: Nuk kemi të bëjmë me kërkesë specifike, kemi te bëjmë me takime të rregullta që përfaqësuesi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, zoti Lajçak dhe emisari i qeverisë amerikane zoti Eskobar, i kanë me LDK-në dhe me partitë e opozitës. Dhe kësaj here kanë qenë dy takime të veçanta, por që është në formatin e njëjtë ku partitë e opozitës ose në takime të drejtpërdrejta ose në takime të përbashkëta diskutojnë pozicionet politike dhe qëndrimet lidhur me dialogun me Serbinë. Natyrisht që LDK-ja në të dy takimet nëpërmjet kryetarit te saj, edhe në takim e zotin Escobar edhe dje edhe me z. Lajcak kemi konfirmuar interesin tonë që Kosova duhet të ecë drejt dialogut. Dialogu është i vetmi mjet që i jep mundësi zgjidhjes së problemeve duke e vendos nevojën e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke si përfundim final dhe si përfundim i cili eliminon njëherë e përgjithmonë nevojën dhe kërkesat që të ri-përsëritet dhe riciklohet edhe tensioni edhe kriza edhe kërkesa në raport me vendin fqinj verior, Serbinë, nga aspekti i normalizimit të marrëdhënieve dhe rrugëtimit euroatlantik që e ka edhe Kosova në këtë rrafsh!
RTV21: Z.Haziri, a po arrin që opozita e Kosovës të ketë një rol më proaktiv në dialog apo takimi ishte më shumë informativë?
Lutfi Haziri: “Nuk ka qenë informativ, ka qenë debatues dhe paraqitja e pozicioneve është e barazvlefshme sa e Qeverisë. Një parti politke kur flet për platformë për parime për strategji është dëgjuar me kujdes të madh dhe te veçantë e ne veçanti edhe nga emisari i SHBA-ve dhe nga përfaqësuesi i BE-se dhe ne jemi pjesë e procesit. Por kësaj here jemi përmes Kuvendit të Republikës. Fatkeqësisht kryeministri i Kosovës këtë proces po e udhëheqë në mënyrë jo transparente, e ka anashkaluar Kuvendin e Republikës, i ka anashkaluar edhe paritë politike, duke përfshirë një anashkalim të lehtë qe e ka bere edhe presidentja ne këtë rrafsh; edhe pse nuk është e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt ne dialog por ne procese te tilla ndjeshme duhet një koordinim paraprak. Z. Kurti e ka parë të arsyeshme me shpalos platformën e tij para zotit Vuçiq, përpara se ta shpalosë para partive politike parlamentare në Kosovë, përpara përfaqësuesve institucionalë në Kosovë dhe është vlerësim i tij dhe është vendim i tij. Por për mendim timin është e vonshme, tani, mundësia që ta diskutojmë në Kosovë një lloj platforme e cila është shpalosje jashtë nesh.
RTV21: Z.Haziri, pse nuk i keni bërë deri më sot më shumë presion kryeministrit Kurti për dialogun marr parasysh se kritikat i keni drejtuar si opozitë kryesisht tek fakti që dialogu ka degraduar?
Lutfi Haziri: Ne në takimin e parë dhe të vetëm që kemi pas me kryeministrin ne kemi ofruar rolin e LDK-së si parti opozitare përmes shembullit që e kemi demonstruar në interesin e vendit; ne kemi votuar për stabilitet institucional me kohë, kemi ofruar platformën për dialog i cili është dokumenti më i vlerësuar dhe më i përkrahur edhe nga QUINTI në Prishtinë dhe nga institucionet evropiane, dokument që LDK-ja e ka me konsensus të miratuar, një platformë politike e cila i ka parimet e shëndosha dhe parime që garanton edhe sukses edhe funksionalitet edhe një marrëveshje eventuale. Dhe natyrisht rolin tonë në Kuvendin e Republikës dhe në institucione politike ku LDK-ja e ka rolin e vet. Si duket përkundër përshtypjes që ka pas një gatishmëri ajo me kohë ka degraduar ka degraduar drejt një izolimi vetizolimi dhe kjo qeveri dhe kjo kryeministër po ndjehet i vetëmjaftueshëm me këtë përfaqësim që e ka duke e bartë procesin të mbyllur për veten e tyre duke e mbajt këtë proces të mbyllur edhe për qytetarët e Kosovës. Por që procesi si i tillë nuk mund ta përfundon një parti politike as nuk mund ta përfundon një parti politike me shumicë parlamentare çfarë është sot sepse është problemi me i madh politik dhe procesi me i rënd që e ka Kosova dhe ai duhet të mbyllet me një lloj konsensusi nesër. Nuk ka në politikë pro bono dhe natyrisht duhet ta kemi parasysh që nuk mund të anashkalohet në asnjë mënyrë Kuvendi i Kosovës. Marrëveshja gjithëpërfshirëse si dokument duhet mu ratifikuar nga kuvendet respektive dhe ajo herët a vonë e ka me ardhë në kuvend, por më mirë me ardhur në kuvend tash, dhe tash me u njoftuar qoftë edhe me seancë të mbyllur nëse ka nevojë sepse z.Kuti e ka paranojën politike se strategjia nuk mund të njihet të zbulohet tregohet para armikut shekullor dhe nuk mund të dëshmohet, por kjo në negociata moderne dhe në formatin që kemi sot nuk qëndron dhe nuk është në përputhje me realitetin. Sidoqoftë strategjia që është sot në duart e kryeministrit le ta vlerëson vet se me kënd dhe në çfarë forme mund ta shtyjë përpara./21Media

Back to top button