Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri do të raportojë sot nga ora 10:00 në Komisionin Hetimor për menaxhimin e pandemisë nga Qeveria e Kosovës.

Po sot, në orën 12:00 do të dëshmoj edhe udhëheqësi i Qendrës Operative Emergjente në Gjilan, Fadil Kajtazi.

Pas një ore, në këtë komision hetimor është ftuar që dëshminë e tij ta jap edhe koordinatori i Qendrës Operative në ministrinë e Shëndetësisë, Pashkë Buzhala.

Që të tre do të dëshmojnë rreth rastit të të ndjerit, Agon Musliu, i cili ndërroi jetë në Qendrën Karantinë që ishte te Qendra e Studentëve, e cila në kohën e pandemisë ka shërbyer si karantinë për të gjithë qytetarët që vinin nga vendet tjera në Kosova.

Komisioni Hetimor për menaxhimin e pandemisë nga Qeveria e Kosovës është mbledhur edhe më 1 tetor gjatë së cilës mbledhje, Ilir Hoxha është votuar për të qenë ekspert i shëndetit publik për këtë komision.

Sqarime për angazhimet e ekspertëve në këtë komision i ka dhënë kryesuesja e këtij komisioni, Mimoza Kusari-Lila.

Para këtij komisioni deri tani dëshminë e tij e kanë dhënë ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ish zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku. Ndërsa, po në këtë komision dëshminë e ka dhënë edhe babai i të ndjerit, Agon Musliu, i cili vdekjen tragjike të djalit të tij e ka quajtur si politike.