Haziri thirrje qytetarëve: Regjistrohuni për të parandaluar tollovinë

 

Komuna e Gjilanit sot ka pranuar 640 doza të vaksinës AstraZeneca.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se prioritet është grup mosha mbi moshën 70 vjeçare.

“Ekipet e vaksinimit do t’i kontaktojnë qytetarët mbi moshën 70-vjeçare sipas planit dinamik të vaksinimit. Ndërkaq, kërkojmë nga qytetarët mbi moshën 65 vjeçare që të fillojnë të regjistrohen për vaksinim në Qendrat më të afërta të mjekësisë familjare. E kemi bërë planin që të mos shkaktohet tollovi në këtë proces të ruajtjes së shëndetit publik”, ka thënë Haziri.

Tutje, ai ka bërë të ditur se vaksnimi do të bëhet në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Ramiz Cernica”, në rrugën “Pajazit Ahmeti” (afër tregut të rërës).

Përndryshe, në fazën e parë janë vaksinuar 1 mijë e 377 qytetarë, përkatësisht të moshës mbi 75 vjeçare, përfshirë edhe punëtorët shëndetësorë.

Ndërkaq, pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 20 mijë e 916 mostra të testuara, 6 mijë e 373 persona kanë rezultuar pozitivë, 6 mijë e 146 janë shëruar, 144 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 83 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 23 persona dhe 61 mostra në pritje për rezultat./21Media

Back to top button