Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se presin nga qeveria e re me kryeministër Avdullah Hotin që të vendosë standarde në qeverisje, me transparencë dhe luftë kundër korrupsionit dhe nepotizmit.  Ai thotë se Qeveria paraprake pjesë e së cilës ishte edhe LDK, ka vendosur standarde në qeverisje.

“Kosova ka një qeveri të re, të votuar nga shumica e nevojshme e 61 parlamentarëve të zgjedhur. Qeveria e mëparshme me pjesëmarrjen e LDK-së ka vendosur standarde në qeverisje, transparencë dhe luftë kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Këto tani janë standardet të cilat ne presim të fillohen”, ka thënë Heldt.

Heldt gjithashtu ka thënë se Kosova përballet me sfida të jashtëzakonshme dhe pasojat e pandemisë së koronavirusit.

“Ne do të jemi aty bashkëbisedues për Avdullah Hotin dhe qeverinë e tij për punë serioze në agjendë serioze: dialogu i udhëhequr nga BE-ja, jo korrupsion, sundim i ligjit, pa nepotizëm, qeverisje e standardeve të përcaktuara. Për Kosovën dhe njerëzit e saj”, ka shkruar Heldt në Twitter.

Në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës është votuar Qeveria Hoti. Formimi i Qeverisë u votua me 61 vota për, ndërsa 24 kundër dhe një abstenim. Hoti do të qeverisë me kabinetin e tij të përbërë nga 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministra./21Media