Helmohen fëmijët nga shpërthimi i kanalizimit në Henc

Banorët  ankohen se nga era e keqe kanë marrë edhe infeksione e sëmundje të tjera

Banorët e fshatit Henc të Komunës së Fushë Kosovës që nga viti i kaluar përballen me një problem mjaft të pakëndshëm. Kanalizimi i fshatit ka shpërthyer dhe ka dalë mbi tokë mu afër shtëpive të disa nga banorëve të fshatit Henc.

Nga era e keqe ata ankohen se kanë marrë edhe infeksione e sëmundje të tjera. Kanalizimi madje u ka prishur edhe të mbjellat në tokat afër dhe ujërat e puseve të cilët i kanë përdorur më parë.

Milazim Mjeku, banor i fshatit Henc i cili e ka shtëpinë ngjitur me pjesën ku ka shpërthyer kanalizimi, ankohet se nga era e keqe e kanë të pamundur edhe dritaret e shtëpisë t’i hapin.

Ai thotë se organet kompetente brenda Komunës së Fushë Kosovës arsyetohen se ende nuk ia kanë arritur të kontraktojnë një kompani që do ta zgjidhë këtë çështje.

“Kemi problem me kanalizimin e krejt fshatit, që na ka sjellë këtu shumë probleme qe s’di sa kohë. Jemi kanë në komunë tek kryetari i komunës. Kem prezentu qe kanalizimi është mbyllë, nuk po vijnë me pastru, tash spo dimë as vet çka me bo. Të komunës kanë dhonë arsyetim që nuk kemi bo kontratë hala me ardhë me ba pastrimin e këtij kanalizimit. Atëherë na kemi mbet kështu, na ka helmu me fëmijë me krejt. S’po mundemi me i çelë as dritaret, as derë, as kurgjo. Me bunar me krejt, edhe ujin na e ka prishë, as ujë nuk po mundemi me përdorë ma për kurgjo. Tash nuk e di a do të vijnë ndojherë, as s’di çka do t’i bajnë kësaj” tha ai.

Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Fushë Kosovës, Maliq Berisha, tha përmes telefonit për KosovaPress se çështja do të zgjidhet së shpejti, meqë shpejt pritet të kontraktohet një kompani e cila do të merret me rregullimin e kanalizimit.

Ndërkohë, nëse çështja nuk zgjidhet shpejtë, banorët që kanë shtëpitë përreth, kanë frikë se me ngrohjen e motit era do të përkeqësohet edhe më tepër duke e bërë të pamundur qëndrimin edhe brenda në shtëpi.

Back to top button