Afera e korrupsionit në Greqi

Afera e korrupsionit në Greqi

Policia ka bastisur shtëpinë e bashkëpunëtorit të ngushtë të zëvendës-presidentit të partisë Demokracia e Re, Adonis Georgiadisit, në kuadër të hetimeve për korrupsion në rastin Novartis.

Bastisja u bë me urdhër të prokurorit për korrupsion që po kryeson rastin. Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, do të propozoi nesër formimin e një Komiteti hetues të Parlamentit, i cili do të merret me përfshirjen e mundshme të politikanëve në rastin Novartis. Tetë ish-ministra dhe dy ish-kryeministra kanë mohuar para dy ditësh akuzat se kanë lidhje me hetimin e madh për korrupsion, e në mesin e tyre janë edhe Dimitris Avramopullos, Komisari aktual i Evropës për migracion dhe ish-kryeministri, Antonis Samaras. Prokurorët grekë gjatë javës njoftuan se hetimet kanë dëshmuar se kompania farmaceutike, Novartis, i ka paguar mjekët që të lëshojnë receta për ilaçe të kësaj kompanie me çmime më të larta dhe se politikanët kanë marrë ryshfet nga kjo kompani.

Siç u theksua, të dyshuarit kanë qenë në pushtet nga viti 2006 deri në vitin 2015, ndërsa kompania Novartis ka njoftuar se është duke bashkëpunuar me hetuesit. Prokuroria pretendon se Greqia është dëmtuar për miliona euro dhe atë pikërisht gjatë krizës financiare, ndërsa agjencia e lajmeve, AMNA, njoftoi se në bazë të dëshmive të 20 personave, Novartis i ka paguar politikanëve së paku 50 milionë euro.

Mediat greke kanë publikuar emrat e ish-politikanëve për të cilët pretendohet se janë të përfshirë në aferë, akuza këto të cilat ata i kanë mohuar. Në mesin e tyre është edhe ish-kryeministri, Antonis Samaras, i cili ka theksuar se bëhet fjalë për shpifje dhe ka paralajmëruar padi kundër kryeministrit Cipras./21Media