Policia austriake po heton biografitë e sulmuesve të Vjenës, tre prej të cilëve janë nga Maqedonia e Veriut.

TV21 ka mësuar identitetin e dy prej 3 djemve për të cilët autoritetet austriake kërkuan bashkëpunim dhe për më shumë hollësi nga Ministria jonë e Brendshme. Të dy janë të lindur në Vjenë, njëri në vitin ‘98 e tjetri në 2001, ndërsa prejardhjen familjare e kanë nga Shkupi.

Jozyrtarisht mësohet se hetimi përveç se në Austri do të zgjerohet edhe në Maqedoninë e Veriut si dhe shtete të tjera nga ku e kanë prejardhjen sulmuesit tashmë të arrestuar, dy prej të cilëve janë nga Kosova. TV21 mëson se do të kërkohen hollësi për kontaktet e tyre dhe ndikimet e mundshme mbi personat e tjerë që kanë mundur të jenë pjesë e grupit. Kjo me qëllim parandalimin e sulmeve të mundshme në të ardhmen në Evropë.

Po sa rrezik ka që sulmet terroriste të mos ndalen?

Duke pasur parasysh pandeminë me Covid, kërcënimet asimetrike dhe terrorizmin, përgjithësisht gjendja e sigurisë në shtete të Bashkimit Evropian është e rrezikshme, duke e pasur parasysh rrezikun që edhe në të ardhmen mund të paraqiten sulme të këtilla terroriste të izoluara në pjesë tjera të BE-së por edhe vendet e Ballkanit”, tha Marjan Gjurovski – profesor i sigurisë.

Gjurovski thotë se në Maqedoni ende predikohet radikalizmi.

Ekzistojnë persona që kanë qenë në territore të huaja, që janë kthyer dhe veprojnë. Predikojnë radikalizëm, ekstremizëm. Edhe në territorin e Shkupit, ka vende qartë të lokalizuara e që janë jashtë kontrollit edhe të Bashkësive fetare dhe grupeve fetare të vendit”, deklaroi Gjurovski.

Gjurovski vlerëson se shteti, por edhe të gjithë të tjerët, mund të bëjnë edhe më shumë përpjekje për risocializimin e atyre që kanë pasur lidhje ose kanë qenë pjesë në grupe ekstremiste.

Kujtojmë se edhe sulmuesi në Vjenë, 20 vjeçari Kujtim Fejzullai, ishte një prej atyre që në 2019-tën ishte kapur në Turqi në përpjekje për t’u bashkuar me Shtetin Islamik. Ishte dënuar me 22 muaj burg por u la i lirë me kusht sepse, bazuar në moshën e tij, është përfshirë me legjislacionin më të lehtë për kundërvajtësit më të rinj. Policia sllovene para disa muajsh e kishte paralajmëruar Austrinë se sulmuesi Kujtim Fejzullai ishte përpjekur të blejë municion në Slloveni, gjë që nuk është arritur./TV21