Një gjykatës në Pensilvani ka hedhur poshtë një proces gjyqësor të ekipit të Donald Trump, i cili kërkonte të zhvleftësonte miliona vota postare.

Gjykatësi Matthew Brann tha se padia, e cila mbështetej në akuza për parregullsi, ishte e “pa meritë”.

Ky veprim i hap rrugën Pensilvanisë që javën e ardhshme të certifikojë fitoren e Joe Biden, i cili kryeson me më shumë se 80,000 vota. Biden është projektuar si fitues i zgjedhjeve presidenciale në SHBA, transmeton rtv21.tv.

Është goditja e fundit për Donald Trump, i cili po përpiqet të përmbysë humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Ai ka refuzuar të pranojë dhe ka bërë akuza për mashtrim të gjerë zgjedhor, pa dhënë ndonjë provë.

Sipas projeksioneve Bideni ka mposhtur Trumpin në vota elektorale me 306:232.

Fushata Trump ka humbur një sërë gjyqesh që kundërshtojnë rezultatet nga zgjedhjet dhe përpjekjet e tyre të fundit përqendrohen në ndalimin e shteteve në lëvizje që i dhanë Biden fitoren./21Media