Hiqen dhjetëra billborde në Mitrovicë, mbetet billbordi i Thaçit dhe Veselit

Komuna e Mitrovicës së Jugut sot ka ndërmarrë një aksion për heqjen e tabelave reklamuese/billbordave që janë vendosur nëpër hapësirat e këtij qyteti.

Deri tani janë janë hequr 18 billborde dhe tabela reklamuese, por nuk është hequr billbordi i ish-krerëve të Ushtië Çlirimtare të Kosovës, ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarit, Kadri Veseli.

Billbordet e hequra kanë pasur reklama të firmave dhe fotografi të deputetëve dhe asamblistëve të komunës së Mitovicës së Jugut.

Lajmin për heqje të këtyre tabelave reklamuese e ka bërë të ditur edhe vetë kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, i cili ka shkruar se autoritetet komunale po largojnë tabelat reklamuese/billbordat që janë vendosur pa leje dhe shfrytëzohen kundërligjshëm.

Ai tha se si kryetar i kësaj komune ka rekomanduar që përjashtim në këtë rast do të bëjë vetëm billbordi i ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarit, Kadri Veseli.

“Të gjithë duhet të mësohemi që Mitrovicën ta bëjmë qytet normal ku sundon rregulli, rendi dhe ligji.Autoritetet komunale po largojnë tabelat reklamuese/billbordat që janë vendosur pa leje dhe shfrytëzohen kundërligjshëm. Si kryetar, u kam rekomanduar që të këtë përjashtim vetëm billbordi i vendosur për ish Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryekuvendarin Kadri Veseli për shkak të rrethanave në të cilat gjenden ata. Përfaqësuesit e PDK-së që paskan dalë për të bërë filma në rrugë, le të pinë ndonjë pije të ftohtë sepse po iu dhimbsen bizneset e jo Thaçi e as Veseli”, ka shkruar Peci.

Back to top button