Historiografia institucionale shqiptare vazhdon avazin e logjikës ideologjike dhe të paternalizmit ndaj Kosovës!

Nga promovimi i librit të Jusuf Buxhovit “Kosova – histori e shkurtër” në Mitrovicë
Promovimi i librit “Kosova – histori e shkurtër” u prit me interesim edhe në Mitrovicë. Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, theksoi komponentën shkencore të këtij libri që paraqet me dinjitet historinë e shtetit të Kosovës si qendër shqiptare në një raport kundërshtues me realitetin e tij, që pasqyrohet në Mitrovicën e ndarë dhe Veriun jashtë sovranitetit të shtetit të Kosovës. Shikuar nga ky aspekt, Bahtiri theksoi se pikëpamjet e autorit në këtë libër, ku edhe gjendja e Mitrovicës pasqyrohet në kuadër të një kompleksiteti historik që këtë hapësirë, nga kriza lindore e këndej, për shkak të resurseve të mëdha natyrore dhe pozitës gjeografike, e kanë vu në shënjestër të interesave të fuqive të mëdha, interesa këto, që në rrethanat e tanishme duhet të gjejnë përgjigje politike brenda kornizave të sovranitet të saj dhe në përputhje me frymën eruopiane të bashkëpunimit dhe të integrimeve dhe assesi me anën e aventurave me Beogradin për shkëmbim territoresh.
Publicisti, Nexhmedin Spahiu, në fjalën e tij të rastit, librin e vlerësoi si një punë të rëndësishme autoriale, që shfaqet ndryshe nga historitë kolektive ideologjikisht të ngarkuara dhe me korniza të ngushta, të cilat, rëndom kanë paraqitur pikëpamjet e fitimtarëve (komunistëve) dhe të diktatit të tyre jashtë të vërtetës. Spahiu theksoi se autori i “Kosovës” në tetë vëllime dhe në formën e shkurtër që doli këto ditë, theu stereotipet ideologjike dhe ato të limitëve të vëna nga historiografia hegjemoniste serbe, e cila rëndom e ka deformuar pamjen historike të shqiptarëve në përputhje me interesat e veta, që shqiptarët të tregohen jashtë vazhdimësisë historike, si popull pa civilizim autokton, rrënues dhe të dëmshëm për qytetërimin evropian. Sipas Spahiu, “Kosova” e Buxhovit, edhe mund të injorohet nga xhelozia dhe arsye të tjera joshkencore nga historianë institucionalistë në Tiranë dhe Prishtinë, shumë prej tyre të formuar gjatë mendësisë ideologjike dhe me diapazon të rrudhur shkencor, por binarët që ka hapur autori në këtë vepër voluminoze (atë të çështjes pellazge, antikitetit, mesjetës, ato të perandorisë Osmane, Rilindjes Kombëtare dhe në veçanti të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë), mbesin të hapur dhe të pashmangshme, veçmas kur ato tashmë, në saje të përkthimit në anglisht në SHBA tashmë kanë depërtuar edhe në qarqet universitare dhe shkenvore botërore. Ato, domosdoshmërish do të kërkojnë përgjigje shkencore dhe assesi refuzim siç po ndodh tani, ngaqë shfaqen si kërkesa që i imponohen rishkrimit të historisë në përputhje me ndryshimet e mëdha shoqërore dhe politike që u pasqyruan me rënien e komunizmit si dhe kthimin e pluralizmit në realitetin shoqëror-politik shqiptar dhe më gjerë.
Duke u lidhur me këtë komponentë, pra të rishikimit të historisë si gjë të natyrshme dhe të domosdoshme, pasi që të jenë vlerësuar drejtë shumë nga stereotipet e kaluara që solli dioptria ideologjike dhe ajo e diktatit të historiografisë serbe, autori theksoi se kjo nuk do të jetë punë e lehtë, ngaqë historiografia institucionale në Tiranë dhe Prishtinë, vazhdon avazin e vjetër, me pengun e monopolit paternalisht rreth gjoja të së drejtës për “të vërtetën” historike gjithëshqiptare, duke penguar me çdo kusht rishqyrtimet, korrigjimet si dhe rishkrimin e saj për aq sa këtë e determinojnë faktet meritore nga puna kompetente hulumtuese- shkencore nëpër arkiva botërore, të cilat, deri më tash kanë qenë inkognito për historianët shqiptarë për arsye të njohura. Kjo pasqyrohet më së miri, jo vetëm me ribotimin e versionit gjoja të rishkruar të “Historisë së Popullit Shqiptar” në vitet 2002-2007 në katër vëllime, që nuk sjell gjë të re nga ai i viteve të gjashtëdhjeta, po përkundrazi edhe ato gjoja korrigjime nga diktati ideologjik, dalin të karikuara nga shkaku se “tradhtarët” e deridjeshëm konvertohen mekanikisht në “patriotë” dhe e kundërta! Andaj, është absurde edhe nisma e tanishme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për rishkrimin e historisë së Shqiptarëve, si thuhet, kur janë po ata që e kanë shkruar histori ideologjike, janë po ata që kanë promovuar pikëpamjet e historiografisë serbe në raport me shqiptarët ( gënjeshtrën rreth shtetit mesjetar serb në Kosovë së ciklës i përmbahen edhe sot e gjithëditën) dhe vlerësimet tjera antishkencore, që thonë se “do të sjellin një pamje të plotë objektive të historisë së shqiptarëve nga antikiteti e deri te koha jonë”, të cilat madje “do t’u dedikohen edhe historianëve të huaj si histori e plotë e shqiptarëve”! Me këtë rast, harrohet se nga historia e shqiptarëve, që pretendohet se do të jetë e plotë, po nga këta historianë është përjashtuar Mbretëria e Maqedonisë dhe Epiri si dhe është minimizuar brutalisht Dardania, duke u rrudhur në një kapitull, përkundër faktit se mbretëria e Dardanisë paraqet bërthamën e botës pellazge-shqiptare nga antikiteti,mesjeta e deri te koha jonë, ndërkohë që po kjo pjesë e Dardanisë (si vilajet i Kosovës) shfaqet bartëse e lëvizjes kombëtare nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Duket sheshazi, që historianët e Tiranës, kryesisht të mendësisë serbe-ruse,logjikën shtetërore që prodhoi Konferenca e Ambasadorëve e Londrës e vitit 1913 kur qendrën (Kosovën) e ktheu në periferi, ndërsa periferinë (shtetin e përgjysmuar shqiptar) e ktheu në qendër, dëshirojnë ta vazhdojnë si koncept për historinë kolektive, paçka që shteti i Kosovës tashmë ka vendosur balanset e prishura të botës shqiptare, fakt ky që përjashton paternalizmat çfarëdoqofshin ato. Në këtë aspekt, autori tha se historiografia shqiptare ka për detyrë që t’i përfill realitet shtetërore shqiptare të vendosura më 1913 dhe 2008, përfillje kjo që ka për detyrë që të korrigjojë pikëpamjet antishkencore, sidomos ato të natyrës ideologjike, me ç’rast, në lupën e korrigjimit duhet të futen sidomos vlerësimet antihistorike për ngjarjet që solli shpërbërja e ish Jugosllavisë në vitin 1941 si dhe shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1991. Në kapitullin e parë duhet korrigjuar qëndrimi antihistorik ndaj Lidhjes së Dytë të Prizrenit të tetorit 1943 si dhe formimit të Qeverisë Shqiptare të atij viti të XH. Mitrovicës dhe Xh. Devës, së cilës duhet hequr hipotekat e “qeverisë kuislinge”, siç duhet të vlerësohet bashkëpunimi i aradheve partizane shqiptaro-jugosllave nga marrëveshja Tito-Hoxha e shtatorit 1944 si një shkas për ripushtimin e dytë të Kosovës nga Serbia me pasoja tragjike për shqiptarët dhe lëvizjen kombëtare për mbrojtjen e Kosovës nga ripushtimi sllavo-komunist në tetor 1944 – mars 1945 që u pasqyrua me rreth 50 mijë viktima, ku rëndom u masakrua popullata e pambrojtur siç ndodhi me masakrën e Tivarit, ato të Sremit dhe të tjera./E.D- 21Media
Back to top button