Të hënën në Durrës u vendosën 50 silueta me historitë tronditëse të fëmijëve të abuzuar. Rrëfimet janë reale dhe synojnë të ndërgjegjësojnë qytetarët mbi fenomenin shqetësues.

Kjo siluetë rrëfen historinë rrëqethëse të një 7- vjeçareje, viktimë e abuzimit seksual.

“Isha më e vogël se 7 vjeç kur më abuzuan seksualisht disa herë duke më kërcënuar për të mos treguar. Megjithëse jetoj e qetë me familje, kam gjithmonë një dilemë brenda vetes, dhe nuk e di a do të më pengojë kjo ngjarje që të krijoj familjen time. Mu deshën 11 vjet për të folur me dikë”.

Janë 50 ngjarje të tilla, reale, të dhimbshme e tronditëse të cilat të hënën u ekspozuan në qytetin e Durrësit në kuadër të fushatës “Të besoj”.

Për 12 ditë historitë e fëmijëve të abuzuar do të qëndrojnë në sheshin Ilira për të ndërgjegjësuar qytetarët mbi këtë fenomen shqetësues.

Përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Roberto De Bernardi, tha se parandalimi i të tilla ngjarjeve është i mundur nëse ka bashkëpunim.

Sipas të dhënave të Policisë, 60% e rasteve të abuzimeve seksuale kryhen  ndaj fëmijëve. Të gjitha këto histori të vërteta tregohen nga fëmijë të moshave të ndryshme të cilët kanë vuajtur abuzime seksuale nga persona që supozohet se duhet t`i mbronin”, tha ai.

Shqipëria nuk ka të dhëna lidhur me abuzimet seksuale ndaj fëmijëve, por viti 2020 është shenjuar nga disa histori tronditëse.

Në muajin maj, në Tiranë u zbulua historia e një 15-vjeçareje, e cila u abuzua nga roja i shkollës dhe disa të rinj për një kohë të gjatë.

Në qershor në Berat, një 48-vjeçar u arrestua pasi ngacmoi seksualisht një 5-vjeçare të cilën sipas dëshmisë në Polici e gënjeu me ëmbëlsira e kumbulla për ta futur në shtëpi.

Në gusht një 56-vjeçar u arrestua në Durrës, pasi akuzohet se ka kryer veprime të turpshme ndaj dy të miturave, përkatësisht 9 dhe 13 vjeçe.

Një 67 vjeçar u arrestua në tetor për përdhunimin e mbesës së tij 13 vjeçare.

i dyshuari nga Lushnja para gjykatës e mohoi akuzën për abuzimin e vajzës së djalit, ndërsa pretendoi për kurth nga nusja e të birit.