Komuna e Skenderajt së bashku me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, në përvjetorin e sulmit të parë mbi familjen Jashari, Ditës së Veteranit, kanë bërë sot homazhe te shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari, Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, si dhe te Kompleksi i Dëshmorëve në Marinë, për t’i nderuar dëshmorët e rënë për liri.

Me këtë rast, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se përkujtojnë sakrificën e të gjithë dëshmorëve, e në veçanti të familjes Jashari në luftën e tyre për liri.

“Ne sapo bëmë homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari, së bashku me Shoqatat e dala nga lufta, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, asamblistë, shoqëri civile, policinë duke përkujtuar me nderë dhe respekt sakrificën e gjithë dëshmorëve, në veçanti të familjes Jashari, gjatë sulmit 29 vjet më parë, është një periudhë me plot sakrifica, vuajtje deri në çlirimin e vendit, por që sot na jep kurajë dhe vullnet për të ecur përpara dhe për të realizuar amanetin e dëshmorëve që ranë për këtë ditë të sotme”, tha Jashari.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryetarit të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Faton Klinaku tha se beteja e 30 dhjetorit në mes të familjes Jashari dhe forcave kriminale serbe, ka bërë që kjo ditë të përcaktohet si Dita e Veteranit të UÇK-së.

“Çdoherë kur vijmë këtu të Jasharajt frymëzohemi për të punuar për të tashmen, dhe për të ardhmen. Pushtuesi jugosllav gjithmonë e ka luftuar këtë familje, dhe beteja në mes familjes Jashari dhe pushtuesit jugosllav, më 30 dhjetor, na ka bërë ta përcaktojmë dhe shënojmë si Ditë të Veteranit të luftës së UÇK-së. Këtë vit po e shënojmë me goditje të rënda për UÇK-në. Kemi bashkëluftëtarët tanë në Hagë, me këtë rast edhe atyre ua urojmë Ditën e Veteranit, por edhe popullit në përgjithësi këtë ditë të sakrificës dhe heroizmit të familjes Jashari dhe komandantit legjendar Adem Jashari”, ka thënë Klinaku.

Klinaku ka thënë se në të ardhmen institucionet e Kosovës duhet të përkujdesen më shumë për këto vlera, dhe politika të jetë sa më unik drejt realizimit të aspiratave të popullit të Kosovës.