Hooper: Me qëndrimin mbi taksën, Kosova ka krijuar një armik nga SHBA-ja

Nuk e arsyeton taksën e Qeverisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës qe disa herë kanë kërkuar heqjen e taksës, mirëpo Qeveria e Kosovës mbetet e vendosur se kjo taksë nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës. Kjo e ka befasuar Hooperin, i cili ka thënë se ky është hapi më kontraproduktiv i liderëve të Kosovës.

“Me këtë vendim, ata pothuajse e kanë krijuar një armik nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. I kanë sjellë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në nivelin më të ulët që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Është e jashtëzakonshme, Kosova ishte në pozitën e fuqizimit ndërkohë që procesi i bisedimeve po vazhdonte me Beogradin dhe tani e kanë hedhur tutje atë pozicion të fuqishëm, kanë krijuar një kundërshtim me Shtetet e Bashkuara, i cili nuk ka pasur fare nevojë të ekzistojë.”, ka deklaruar James Hooper në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Madje, ai ka deklaruar se edhe pse Qeveria e Kosovës po arsyetohet se kjo taksë është vendosur si kundërpërgjigje ndaj agresionit të Serbisë, James Hooper nuk e arsyeton një gjë të tillë.

“Ndoshta në baza ekonomike dhe nacionaliste, mund ta shoh arsyen pse po bëhet kjo, por në baza diplomatike dhe të politikës ndërkombëtare, një gjë e tillë nuk ka fare kuptim. Kosova mund ta fitojë këtë argument në aspektin ekonomik, por gjithsesi e humb argumentin në rrafshin strategjik. Kosova aktualisht po i vë në rrezik interesat strategjike për të ndjekur lojëra taktike.”, ka thënë Hooper.

Janë bërë tre muaj që kur Qeveria e Kosovës e ka vendosur taksën 100 përqind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Ky vendim ka ngjallur shumë reagime dhe në arenën ndërkombëtare, BE vazhdon ta kërkojë heqjen e taksës. Ndërsa, SHBA pezullimin e saj. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përsërit qëndrimin e tij se taksa nuk do të hiqet deri në njohje të Kosovës nga ana e Serbisë.

Back to top button