Orari i ri i punës deri në orën 23:00 për hotelierët në Maqedoninë e Veriut është dënim. Kryetari i Odës së Pavarur të Hotelierëve, reagon se shteti në këtë gjendje krize për dikë është nënë, e për dikë njerkë.

“Kufizimi i ri i orarit jo vetëm që i përgjysmon të ardhurat që janë realizuar gjatë Covid, por të njëjtat janë reduktuar për më pak se 20% në krahasim me të ardhurat të cilat hotelierët i kanë realizuar në këtë periudhë të vitit të kaluar”, tha Zdravko Josifovski – Kryetar i Odës së pavarur të Hotelierëve.

Për ata që do t’i shkelin masat, sipas paralajmërimeve të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, do të ketë gjoba në të holla, por edhe padi penale.

“Prandaj sillen masa më të rrepta me të cilat do të mund që menjëherë t’i mbyllim objektet për 30 ditë dhe t’u shqiptojmë dënim në të holla me urdhërpagesë. Edhe këto ditë, derisa Kuvendi nuk i sjell vendimet e reja ligjore sipas të cilave do të fillojmë t’i zbrazim objektet hotelierike dhe t’i mbyllim ato, ne veprojmë sipas praktikës së deritanishme, respektivisht me padi penale sipas Nenit 205 dhe 206 për shkelje të protokolleve”, u shpreh Stojko Paunovski – Drejtor i Inspektoratit të Tregut.

Hotelierët tashmë po hyjnë në fazën e kuqe me huamarrje masive, paralajmëron kryetari i Odës së Hotelierëve.

“Me të ardhurat që i realizojnë nuk mund t’i mbulojnë shpenzimet që i bëjnë. Nëse kjo mbetet në këtë nivel pa masa adekuate, kredi, subvencione, më me siguri shumica e hotelierëve nuk do të mund ta kalojnë dimrin”, deklaroi Zdravko Josifovski – Kryetar i Odës së pavarur të Hotelierëve.

Ata kërkojnë 250 milionë euro ndihmë shtetërore në pakon e fundit të masave qeveritare. Siç shpjegoi Josifovski, hotelierët frikësohen se në të ardhmen nuk do të marrin as nga 10 milionë euro. Çka na vlejnë masat nëse të punësuarit lëshohen nga puna, çka na vlen granti kur firma nuk ekziston?, pyetën ata. Ata u ankuan se Qeveria fare nuk i ka konsultuar gjatë sjelljes së masave, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejt ndikojnë mbi industrinë hotelierike. Sipas tyre, sjellja e masës për kufizim të orarit të punës, pa e njoftuar subjektin dhe pa i dhënë mundësi kohore që të adaptohet, shkakton vetëm kaos, raporton TV21./21Media