Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot realizoi dy telefonata të rëndësishme. Ai bisedoi me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, z. Josep Borrell dhe me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, z. Olivér Várhelyi.

“Në këto biseda, kryeministri Hoti i njoftoi diplomatët e lartë evropianë për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, veçmas për menaxhimin e pandemisë Covid 19 dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit si pasojë e kësaj pandemie”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.

Hoti foli edhe për përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për ta përmbyllur me sukses perspektivën integruese evropiane të Kosovës.

Gjithashtu Hoti i falënderoi ata për përkrahjen që institucionet e Bashkimit Evropian i kanë dhënë Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid 19. /21Media