Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot priti në takim ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj.

Hoti përmes një shkrimi në “Facebook” bëri të ditur se kanë biseduar për aktualitetin politik në Kosovë, Shqipëri dhe në rajon, për procesin e dialogut Kosovë –Serbi si dhe çështje të tjera në interes të të dyja vendeve.

“U pajtuam se dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura midis Kosovës dhe Serbisë. Nënvizova edhe një herë se në këtë proces nuk mund të ketë marrëveshje parciale, por vetëm një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse me njohje reciproke në kufijtë aktual”, ka thënë Hoti.

Në anën tjetër, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj takimin me Hotin e quajti “fort të vyer”.

Cakaj tregoi se kanë shprehur shqetësime lidhur me procesin e fshirjes së qëllimshme të adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. “Ne do të vazhdojmë të punojmë pakursyer për për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare për gjendjen e shqiptarëve në Luginë”, ka thënë Cakaj.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj po qëndron për vizitë në Kosovë. Pas takimeve zyrtare, do të nënshkruhen tri marrëveshje nga pjesëmarrësit./21Media