Zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj nga sot do të jetë përgjegjës për procesin e integrimit evropian të vendit.

Kështu njoftoi kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti në tryezën e sotme konsultative me Organizata të Shoqërisë Civile për prioritetet e Agjendës së Reformave Evropiane.

“Zv.kryeministri Selmanaj do të mbuloj pjesën e integrimeve evropiane, pra do të jetë zëvendës kryeministër për çështje të integrimeve evropiane. Ai ka përvojë të gjatë në shoqërinë civile, besoj me shumicën prej jush njihet edhe personalisht, ose mund të keni punu bashkë, dhe unë besoj se së bashku me ju dhe stafin i cili është mjaft i përgatitur brenda zyrës dhe departamenteve që mbulojnë çështjet e integrimeve evropiane të punojnë së bashku në quarjen përpara të agjendës evropiane”, theksoi Hoti në këtë takim.

Qeveria e Kosovës ka shpalosur prioritetet e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA 2) për t’i dhënë shtytje procesit integrues në BE. E për të qenë afër këtij procesi u kërkua qeverisje e mirë dhe zbatim i reformave legjislative.

Gjatë një takimi të sotëm me organizata të shoqërisë civile, kryeministri Avdullah Hoti tha se qeveria që udhëheq e ka prioritet integrimin evropian.

“Integrimi evropian është prioritet i qeverisë dhe gjitha politikat sektoriale të ekzekutivit janë pjesë thelbësore për proceset integruese…Integrimin evropian e kemi zhvendosur në kudër të zyrës së kryeministrit me qëllimin e vetëm që të kemi mundësi të mbikëqyrim të gjitha ministritë tjera në menaxhimin e integrimin evropian. Së fundi e kemi strukturuar mirë dhe funksionalizuar gjitha depratametët që kanë qenë në kuadër të integrimeve”, tha ai.

Ndërsa, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog tha se prioritet i Era 2 është zbatimi i reformave legjislative dhe qeverisja e mirë. “Era 2 përfshinë menaxhimin e pandemisë dhe masat për rimëkëmbje ekonomike. Reforma tjera ligjore, zbatimi i Kushtetutës. Theksi kryesor tjetër është në zbatimin e reformave legjislativ”, tha ai.

Kujtojmë që më formimin e Qeverisë Hoti është shuar Ministria e Integrimeve Evropiane, e cila ishte formuar 10 vjet më parë. /21Media