Hoti: Guvernatori i BQK-së nuk ka pasur ftesë nga ndërmjetësi i BE-së për dialog
Anëtari i LDK-së në Komisioni Parlamentar për Buxhet, Avdullah Hoti, ka thënë se guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili është instrumentalizuar nga Qeveria.
Në një postim në Facebook, Hoti ka shkruar se Ismaili nuk qenë transparent për takimin në Bruksel, teksa ka shtuar se s’ka pasur ftesë nga ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialog, por atë e ka pranuar nga Qeveria.
“1. Guvernatori nuk ka pasur ftesë nga ndërmjetësi i BE-së për dialog. Ftesën e ka pranuar Qeveria, e cila e ka përcjellë atë tek Guvernatori. Edhe pse Guvernatori deklaroi se e ka parë të panevojshme të shkojë në Bruksel, ka vendosur të shkojë. 2. Takimi i dialogut në Bruksel është bërë mes Guvernatorit dhe disa zyrtarëve të ministrisë së financave të Serbisë. Takimi nuk ka qenë me homologun e tij. 3. Nuk ka asnjë informatë zyrtare me shkrim se çfarë është biseduar në takim me palën serbe. Guvernatori deklaron se, ‘nuk ka biseduar asgjë që nuk është dashur të bisedohet’. Kaq për transparencën e këtij takimi”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Sipas Hotit, pjesëmarrja e Ismailit në takim me Serbinë në Bruksel për çështjen e dinarit serb s’ishte në përputhje me autorizimet ligjore të tij.