Kryeministri Avdullah Hoti, sot e kujtoi heroin e Kombit, Zahir Pajazitin në ditëlindjen e tij të 58-të. Ai u shpreh se për Zahirin dhe të gjithë dëshmorët e kombit qoftë i përjetshëm kujtimi.

“1 nëntori shënon ditëlindjen e komandantit të UÇK-së dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajazitit. Zv. Kryeministri Besnik Tahiri, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot ka bërë homazhe te varri i Heroit të Kombit, Zahir Pajaziti, në Kompleksin Memorial në Orllan. I përjetshëm qoftë kujtimi për Heroin e Kosovës Zahir Pajazitin dhe gjithë dëshmorët e Kombit. Lavdi!”, shkroi ndër të tjera Hoti në facebook.

Heroi i Kombit, Zahir Pajaziti është lindur me 1 nëntor 1962 në fshatin Turuqicë të Podujevës, ndërsa ka rënë heroikisht me 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë./21Media