Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u shpreh i shqetësuar me vendimin e Ambasadës së SHBA-së për t’u tërhequr nga monitorimi i përzgjedhjes së kryeprokrorëve dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Shefi i ekzekutivit tha se shqetësimet e amerikanëve do të merren seriozisht, ndërsa kujtoi se qeveria e tij po punon për reformën në drejtësi.

“Jam thellë i shqetësuar nga vendimi i Ambasadës së SHBA-ve për tërheqje nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Shqetësimet e tyre duhet të merren seriozisht. Vetëm një proces transparent, pa asnjë konflikt interesi apo ndikimi politik, siguron përzgjedhje mbi baza të meritës. Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, po punon në reformën në drejtësi, përfshirë vettingun. Ky proces do të sigurojë një sistem të drejtësisë transparent, me llogaridhënie të brendshme dhe kontroll reciprok”, shkroi Hoti.