Kryeministri Avdullah Hoti priti sot në një takim njoftues ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett.

Gjatë këtij takimi, Hoti e falënderoi ambasadorin për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe pohoi vendosmërinë e Qeverisë për të punuar ngushtë me SHBA-të edhe në të ardhmen.

Po ashtu, kryeministri e njoftoi ambasadorin për prioritetet e menjëhershme të qeverisë së re, siç janë: lufta kundër COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike. Krahas këtyre, ai theksoi edhe prioritetet e tjera, si forcimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftimi i korrupsionit, rritja e punësimit, zhvillimi i tregut të lirë dhe marrja e përgjegjësive për dialogun.

Nga ana e tij, Kosnett tha se SHBA-të do të vazhdojnë mbështetjen e saj për Kosovën, sidomos në përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet rajonale, mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe forcimin e sundimit të ligjit – përfshirë këtu edhe luftën kundër korrupsionit./21Media