Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, janë diskutuar dy tema, për të pagjeturit dhe çështjet ekonomike.

Sipas Hoti, në çështjet ekonomike përfshihen edhe kompensimi i dëmeve të luftës, suksesioni, borxhi shtetërorë, pensionet, kursimet në banka, pagat e humbura të punëtorëve të larguara nga puna, dëmtimet e pronës private dhe çështje të tjera që do të vazhdojnë të diskutohen në takimet e ardhshme.

Në një postim në Facebook. Hoti ka shkruar se “jemi të vendosur që çështja e të pagjeturve të mbyllet sa më shpejt, sepse ndjejmë obligim moral ndaj familjeve të tyre”.

Destinacioni i Kosovës është integrimi euro-atlantik, dhe sipas Hotit dialogu nuk ka alternativë. “Me mbështetjen e miqve do të arrijmë qëllimin tonë, sepse është në interes të Kosovës dhe Serbisë, në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, si dhe në interes të BE-së dhe SHBA-së. Gjatë këtij procesi të vështirë, ne besojmë plotësisht në miqtë tanë ndërkombëtarë, siç kemi besuar në të kaluarën kur ata e mbështetën çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Hoti në Facebook. /21Media