Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas mbledhjes së Komitetit për Menaxhim të Situatës me COVID-19, në një konferencë për media ka thënë se ka nevojë të rritet vetëdija e qytetarëve sa i përket seriozitetit të situatës me Covid-19.

“Kanë filluar punën spitalet rajonale për të krijuar kapacitetet shtesë me shtretër dhe pajisje përcjellëse dhe riorganizimin e kapaciteteve njerëzore, për klinikat ku ka më së shumti nevojë për t’u përballur me këtë situatë. Janë aktivizuar të gjitha shtabet lokale. Është bë plani i organizimit të Policisë për t’u dalë në ndihmë komunave. Ajo që është me interes është që të kërkojmë të zbatohet është funksionalizimi i shtabeve të fshatrave. Kemi shtuar kapacitetet e inspektimit dhe rezultatet e para kemi parë. Janë shqiptuar edhe gjoba për subjektet që s’kanë përfillur vendimet e Qeverisë. Duket se ka nevojë të rritet vetëdija e qytetarëve sa i përket seriozitetit të situatës. Ka raste kur qytetarët kanë rezultuar pozitivë e s’janë mbyllur”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Hoti ndër të tjera ka thënë se po mendohet që të bëhet testimi i një mostre në nivel vendi për të pasur pasqyrë më të qartë të shkallës së infektimit në nivel vendi. /21Media