Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar që qysh sot të ndërmerren disa masa për parandalimin e përhapje së Covid-19.

Sipas Hotit në prag të festave, ekziston rreziku i përhapjes së infeksionit për shkak të lëvizjeve të mëdha të qytetarëve që ndodhin në kohë festash.

“- Të gjitha institucionet publike të ndalojnë çfarëdo organizimi për fundvit që i bëjnë zakonisht për punonjësit e institucioneve. Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të përgatisin urdhëresën për këtë qëllim.
– Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkërendim me komunat, të urdhërojë menjëherë të gjitha shkollat të ndalojnë çfarëdo organizimi apo ekskursioni të nxënësve apo arsimtarëve.
– Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është përgjegjëse për ngjarjet sportive e kulturore, të cilat mund të zhvillohen vetëm sipas udhëzimeve të parapara në manualin për mbrojtje nga covid19. Një komision do të funksionojnë brenda ministrisë për miratimin e ngjarjeve të tilla.
– Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, së bashku me AVUK-un, të inspektojë zbatimin e masave me mbështetje të policicë”, janë masat që kryeministri kërkon të zbatohen qysh sot”.

Në anën tjetër, kryeministri përmes një shkrimi në “Facebook”, shtoi se Zemaj po punon në sigurimin e vaksinës me partnerët ndërkombëtarë.

Hoti vlerësoi se masat që janë marrë më 11 nënëtor kanë dhënë rezultate, duke paralajmëruar edhe masa shtesë.

“Me propozim të IKSHP-së dhe në konsultim të gjerë, Ministri i Shëndetësisë do të propozojë së shpejti masat shtesë. Masat do të ndërmerren në konsultim edhe me komunat, shoqatat e bizneseve, grupet e ndryshme, si dhe partnerët dhe organizatat ndërkombëtare që po na ndihmojnë në menaxhimin e situatës. Nga muajt e verës, ne jemi duke kryer konsultime javore me partnerët dhe organizatat relevante ndërkombëtare, ku çdo të premte e vlerësojmë situatën dhe marrim rekomandime nga ta”, ka thënë Hoti./21Media