Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka raportuar në Kuvend lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19. Hoti theksoi se gjatë kësaj periudhe të qeverisjes së tij në vend, kanë pasur dy mundësi sesi t’i përgjigjen kësaj gjendje të krijuar me Covid-19.

Mundësia e parë, kryeministri Hoti tha se ishte që t’i nxitin qytetarët që të ruajnë distancën, të mbajnë maska në fytyrë dhe të përkujdesen për higjienën e tyre personale.

Pastaj, sipas Hotit kanë obliguar administratën publike dhe sektorin privat që t’i mbahen me korrektësi masave mbrojtëse parandaluese, të cilat janë përmbledhur në manualin e masave antiCovid19 dhe të përkrahet sistemi shëndetësor.

Kryeministri Hoti tha se mundësia e dytë ishte të mbyllen sërish njerëzit në shtëpitë e tyre, duke ndaluar sërish punën dhe ekonominë.

Hoti tha se u përcaktuan për mundësinë e parë, që të luftohet virusi në distancë për të mos ndalur ekonominë.

“Ne u përcaktuam për opsionin e parë, të bashkëjetesës më virusin në distancë, duke mos e ndaluar ekonominë, por mbi të gjitha duke luftuar për çdo jetë, si ajo jetë që po vuan nga pandemia ashtu edhe ato që po rrezikohen seriozisht nga varfëria. Rruga që kemi zgjedhur është më e vështira dhe nuk fitohet vetëm nga profesionistët shëndetësor. Ajo siç po shihet rrezikon të dështoj nëse secili prej nesh si qytetarë i këtij vendi nuk respektojmë masat që qeveria i ka bërë të obligueshme në funksion të ruajtjes së shëndetit tonë, familjarëve tanë dhe të shoqërisë në përgjithësi. Megjithatë, ne u detyruam që pas ngritjes serioze numrash të kthejmë disa prej masave shtrënguese në mënyrë që të parandalojmë një rrezik të madh që po afrohej”, tha Hoti.

Ai para deputetëve tha se indikatorët që vinin nga IKSHP-ja, sinjalizonin se administrata, subjektet afariste e në veçanti gastronomia, paraqesin një vend të shpërndarjes së virusit, prandaj, edhe Qeveria nxori masa të reja.

“Në bazë të këtyre vlerësimeve dhe rekomandimeve për të ngadalësuar zhvillimin e këtij zinxhiri shpërndarës, Qeveria vendosi fillimisht të kufizojnë prej katër komunave me vatrat më të mëdha, si Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri dhe të zvogëlojë oraret e punës për gastronominë në nivel vendi e po ashtu të urdhërojë reduktimin e stafit në nivel esencial për çdo subjekt punues. Më 8 korrik në bazë të raportimeve dhe kërkesës të ardhur nga komunat veriore të Kosovës si dhe rekomandimeve të IKSHP-së, Qeveria ka shtrirë masat restrektive edhe në Mitrovicën e Veriut, në Leposaviç, në Zubin Potok dhe në Zveçan”, tha ai.

Sipas tij, gjithmonë sipas analizave të IKSHP-së, por edhe informatave që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë, sot më 13 korrik është rritur numri i komunave me ndalesë të lëvizjes prej orës 21:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit.