LDK: Qeveria s’duhet të sillet në mënyrë që Serbia të duket mirë

Kosova e Serbia pa marrëveshje

(Lajm i përditësuar)
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po ndjek me shumë kujdes situatën e krijuar pas dështimit të sotëm, në Bruksel, të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së. Kështu thuhet në komunikatën për media të LDK-së.
LDK-ja vlerëson se stabiliteti dhe siguria janë kushte thelbësore për të arritur progres, si dhe për të ushtruar sovranitetin në gjithë territorin e saj.
“Shtrirja e ligjshmërisë në gjithë territorin është e drejtë e pamohueshme e Kosovës. Suksesin e garanton koordimi me aleatët tanë, ShBA dhe BE. Qeveria e Kosovës në asnjë rast nuk duhet të sillet në atë mënyrë që Serbia të duket mirë dhe të fajësohet Kosova, siç ndodhi sot. Kosovës i duhen aleatët e saj, përkrahës historik të popullit të Kosovës. Kush i dëmton raportet me aleatët, rrezikon ta lë vendin tonë pa përkrahje. Kosova ka arritur deri këtu bashkë me aleatët dhe kështu duhet të vazhdojë edhe më tutje”, thuhet në deklaratën e LDK-së.
21:58 – Çitaku: Si përfunduam nga diskutimet për njohje në grindje të parëndësishme për targat?

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka shprehur shqetësimin e saj për mosmarrëveshjet ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell.
“Si përfunduam nga diskutimet për normalizim dhe njohje të ndërsjellë në grindje të parëndësishme për targat?” ka shkruar Çitaku në Twitter.
“Sovraniteti është i rëndësishëm, por të rëndësishme janë edhe aleancat”, ka shtuar ajo.


21:42- Haradinaj iu bën thirrje Kurtit, Osmanit e Konjufcës

Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave sot në Bruksel, lidhur me këtë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurtit ta pezullojë zbatimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë.
Haradinaj u bëri thirrje edhe krerëve tjerë shtetëror për tejkalimin dhe qetësimin e situatës.
“I bëj thirrje Kryetarit të Kuvendit që urgjentisht ta thërras Parlamentin në seancë të jashtëzakonshme, që të miratohet Rezoluta e propozuar prej AAK, për tejkalimin e situates së krijuar. Po ashtu i kërkoj Presidentes të marrë rol aktiv në qetësimin e situatës dhe në kapërcimin e ngërçit të krijuar”, ka shkruar Haradinaj.
Ai i ka ftuar të gjithë qytetarët serbë që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të mos bien pre e kalkulimeve politike të regjimit në Beograd.
“Është momenti i fundit që qeveritë në Beograd e në Prishtinë, të ulen e të bien në ujdi për marrëveshjen e paqes për njohje, e të heqin dorë nga veprimet që rrezikojnë jetët e njerëzve!”, ka shkruar Haradinaj.
19:10 – Pacolli porositë që BE-ja të jetë më neutrale në negociata

Kreu i AKR-së, Behgjet Pavolli ka reaguar lidhur me mosmarrëveshjen në takimin e sotëm trepalësh në Bruksel.
Pacolli theksoi se BE-ja duhet ta respektojë Kosovën si shtet dhe të jetë më neutrale në negociata.
“BE-ja duhet së paku minimalisht ta respektojë Kosovën si shtet dhe të jetë më neutrale në negociata. Rezultati i sotëm në Bruksel është si pasojë e kësaj. Dialogu nuk mund të vazhdojnë përgjithmonë. Duhet vendosur afati i fundit! Dhe të mos harrojmë as premtimin për liberalizimin e vizave…”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Në anën tjetër pas takimit, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave dhe për këtë hodhi përgjegjësinë sidomos te pala kosovare.
“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot”, tha Borrell, duke shtuar se një gjë e tillë lë “vakum shumë të rrezikshëm sigurie”. “Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell për gazetarët.
Ndërsa, Kurti e fajësoi shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, se hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizmin e marrëdhënieve Kosovë -Serbi.
Kurti tha se afati ishte caktuar për në marsin e vitit 2023.
“Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast Borrell hoqi dorë nga ky afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Po them me keqardhje sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër propozimi është i Bashkimit Evropian. Kur u takuam në Paris në Forumin për Paqe, Borrell tha se propozimi nuk është Franko-Gjerman, por i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Sot ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serb. Unë jam i gatshëm që të vijë këtu të zhvillojë takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë. Shpresoj që BE ti rrijë prapa propozimit të vetë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti./21Media
16:54 – Hoti: Kjo situatë i përshtatet Serbisë, jo neve

Në takimin e sotëm trepalësh në Bruksel, ndërmjet Shefit të Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq nuk u arritë asnjë marrëveshje sa i përket targave.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Avdullah Hoti nga LDK-ja. Ai përmes një postimi në “Facebook”, tha se “në vend që t’iu lihet kjo punë në dorë amerikanëve dhe të ndiqen këshillat e tyre për të përmbyllur dialogun, krijohen tensione në teren pavarësisht se Kosova është në të drejtën e saj për të zbatuar ligjshmërinë”.
Hoti u shpreh se tani duhet të negociohet në Bruksel për të zgjidhur problemet, e jo për të përmbyllur marrëveshjen. Duke theksuar se “kjo qasje nuk shpie askund”.
“Edhe pse Kosova është në të drejtën e saj kur insiston në vendosjen e ligjshmërisë, kjo qasje na kthen prapa tek dialogu teknik për kthim të serbëve në institucione, tek dialogu për menaxhim të situatave, e jo dialog për marrëveshje finale për njohje reciproke. Kjo situatë i përshtatet Serbisë, jo neve”, ka shkruar Hoti.
Pas takimit shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave dhe për këtë hodhi përgjegjësinë sidomos te pala kosovare.
“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell për gazetarët./21Media

Back to top button