Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka deklaruar se Kongresi i Alfabetit shqip ka unifikuar përgjithmonë shkronjën shqipe, duke e jetësuar ëndrrën e kahmotshme të brezave për një alfabet të njësuar të gjuhës shqipe.

Ai është shprehur se 22 nëntori – Dita e Alfabetit shqip, është një ndër datat më të rëndësishme të historisë së kombit tonë.

“Kongresi i Manastirit i vitit 1908, me Fishtën, Mjedën, Zavalanin, Qiriazin e intelektualë të tjerë të shquar të kohës, unifikoi përgjithmonë shkronjën shqipe, duke e jetësuar ëndrrën e kahmotshme të brezave për një alfabet të njësuar të gjuhës shqipe”, ka shkruar Hoti në facebook.

Kongresi i Manastirit ishte zhvilluar mes 14-22 nëntorit të vitit 1908 dhe kanë marrë pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres ishte miratuar vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.

Kryetar i Kongresit ishte zgjedhur Mithat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij, Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 nëntor të vitit 1912 është shpallur edhe pavarësia e Shqipërisë.

Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.