Hoti kritika qeverisë për energjinë: Nuk kanë ide se me çfarë do të përballemi

Ish-kryeministri i Kosovës , Avdullah Hoti, ka thënë se kaosi në menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria ka rritur panikun tek qytetarët.
Sipas Hotit një qeveri e përgjegjshme duhet të informojë qytetarë në detaje se sa pritet të jetë prodhimi i energjisë nga KEK-u gjatë dimrit, e shumë të tjera.
“sa duhet importuar energji për të plotësuar kërkesën vendore, sa buxhet duhet ndarë për import të asaj energjie, a mund të lidhen tani kontrata për blerje të energjisë, sa energji i kemi dhënë Shqipërisë deri më tani në mënyrë që të marrim nga ta gjatë dimrit, sa buxhet duhet ndarë për kompanitë e energjisë në mënyrë që rritja e faturave të energjisë të jetë e përballueshme për familjet, sa buxhet duhet ndarë për subvencionim të energjisë për familjet në asistencë sociale dhe çfarë mund të bëhet bashkë me komunat për familjet e tjera më në nevojë për mbështetje etj”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Hoti po ashtu ka thënë se Qeveria nuk e ka as idenë më të vogël se me çka do të përballet Kosova.
“Kujtojnë se me ta nis historia dhe e nisin nga e para strategjinë e energjisë. Tregojnë dogma para partnerëve ndërkombëtarë. U tregojnë japonezëve sa ka qenë rritja në Kosovë dhe i ftojnë të investojnë, por në anën tjetër në media ndërkombëtare e përmendin çdo ditë mundësinë për luftë në Kosovë. E anulojnë projektin strategjik të gazit për inate politike, i cili për tri vite do të shtonte kapacitet energjetike”./21Media

Back to top button