Hoti: Me reduktimet e energjisë po kthehet situata e viteve 1998-1999

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me reduktimet e energjisë situata po kthehet si e viteve të para pas luftës 1998-1999.
Në një postim në rrjetet sociale, Hoti u shpreh se për ta mbuluar këtë keqmenaxhim me energj, po e hapin temën e shamive në shkolla, duke kthyer debatin e viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore.
“Po i përcjell me shqetësim zhvillimet e javëve të fundit. Është e papërgjegjshme të udhëhiqet vendi në këtë mënyrë. Nuk iu kemi borxh të na kthejnë me dekada prapa. Fatkeqësisht, me reduktimet e energjisë po kthehet situata e viteve të para pas luftës çlirimtare 1998-1999. Ndërkaq, për ta mbuluar këtë keqmenaxhim po e hapin temën e shamive në shkolla, duke kthyer debatin e viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore”, shkroi Hoti në Facebook.
KEDS ka bërë të ditur se ka pranuar urdhëresën nga Qendra Nacionale Dispeçerike e Kosovës, pjesë e KOSTT, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 08:00 e ditës së sotme. Këto kufizime, në bazë të planit të dërguar, do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët, të cilët gjatë ditës së hënë do të kenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime./21Media

Back to top button