Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka vizituar sot, Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë. Ai nga afër ka parë kushtet në të cilat jetojnë mbi 60 të moshuar dhe ka dëgjuar shqetësimet e kërkesat e tyre. Ndërkohë që ua ka uruar festat e fundvitit, si banorëve ashtu edhe punëtorëve të kësaj shtëpie, kryeministri Hoti u ka ofruar mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë.

“Ne e pamë bashkë gjendjen dhe në këto kushte pandemie që jemi, besoj që po ofrohet shërbimi më i mirë i mundshëm. Unë shfrytëzoj rastin që ta përgëzoj ministrin për menaxhimin e duhur të këtij institucioni dhe në veçanti gjithë stafin këtu, stafin shëndetësor, të gjithë që kujdesen për këtë grup moshë. Këtu janë mbi 60 banorë dhe atyre u ofrohen të gjitha shërbimet e nevojshme me mundësitë që janë”, tha Hoti.

I shoqëruar nga ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, si dhe anëtarë të kabinetit, Hoti tha se, ka qenë një vit i vështirë për të gjithë qytetarët, në veçanti për këtë grup moshë të popullsisë që kanë edhe nevoja të veçanta.

Hoti po ashtu tha se është mirë që në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë, nuk ka pasur asnjë viktimë nga COVID – 19, derisa i përgëzoi të gjithë punëtorët për punën e palodhshme dhe dashurinë e respektin që po u ofrojnë banorëve të kësaj shtëpie./21Media