Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se politika nuk duhet të përzihet në drejtësi dhe këtë e kanë bërë me vendimet që kanë marrë në këta muaj të qeverisjes.

Hoti ka shkruar në “Facebook”, se drejtësia duhet ta bëjë punën sipas ligjit, e jo sipas vendimeve të Qeverisë.

“Kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve. Kjo qeveri është e vendosur për të fuqizuar shtetin ligjor. Siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore”, ka shkruar Hoti.

Ditë më parë ishte pikërisht një vendim i Qeverisë për ta shuar Task-Forcën Antikorrupsion, vendim ky që ka marrë kritika të mëdha nga opozita e ndërkombëtarët.

Sot kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka dalë kundër Qeverisë Hoti duke thënë se shuarja e Task-Forcës Antikorrupsionit shkakton pasiguri juridike./21Media