Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të marr pjesë në samitin e partneritetit të Ballkanit Perëndimor. Këtë samit e organizon Këshilli Atlantik, ndërsa marrin pjesë liderë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shqipërinë e përfaqëson kryeministri Edi Rama, ndërsa përfaqësues i Serbisë do të jetë presidenti Aleksandar Vuçiq. Me presidentin Stevo Pendarovski përfaqësohet Maqedonia e Veriut, ndërsa marrin pjesë edhe udhëheqës të Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi.

Samiti mbahet të mërkurën, më 29 korrik, përmes platformës ZOOM. Kjo është bërë e ditur në faqen zyrtare të Këshillit Atlantik.

Qëllimi i samitit është lehtësimi dhe promovimi i hapave konkretë drejt integrimi ekonomik rajonal, që mund të stimulojë rimëkëmbjen ekonomike pas COVID-19, të forcojë konkurrencën afatgjatë dhe të rris atraktivitetin për investitorët.

Sipas Këshillit Atlantik, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor pajtohen për veprime të guximshme dhe praktike për të avancuar bashkëpunimin ekonomik rajonal.

“Këta hapa të rëndësishëm do të ndihmojnë rajonin që të kalojë ndikimin shkatërrues të COVID-19, me mundësi më të mëdha të zhvillimit ekonomik”, thuhet në njoftim.