Në Kosovë vetëm dje janë regjistruar 96 raste të reja me koronavirus. Për këtë ka reaguar, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti duke thënë se nëse vazhdon kështu, do të detyrohen t’i kthejnë masat e izolimit.

Hoti përmes llogarisë së tij “Facebook”, ka thënë se me këtë ritëm shpejt do të bllokohet Klinika Infektive.

“Rastet me COVID-19 po rriten shumë. Me këtë ritëm, shpejt do të bllokohet Klinika Infektive dhe atëherë mjekët tanë do të përballen me vendime të vështira morale se kënd duhet ndihmuar më parë. Ato skena i kemi parë në vendet që e përjetuan shumë rëndë këtë pandemi. Nuk mund të lejojmë të na krijohen situata të tilla. Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona”, ka shkruar ai.

I pari i Qeverisë ka theksuar se masat për tu mbrojtur janë të thjeshta: (1) maska, (2) distanca fizike dhe (3) larja e duarve.

“Vetëm kaq mjafton për ta ruajtur veten, fëmijët tanë, prindërit, por edhe bashkëpunëtorët në vendin e punës, bashkudhëtarët në autobus e taksi, apo personin ngjitur në tavolinën tjetër në restorant”, ka shkruar tutje Hoti.

Ai ka përmedur se Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP e kanë përgatitur manualin për masat për mbrojtje nga COVID-19, i cili sipas tij është i obligueshëm dhe nëse nuk përmbushën këto masa nuk do të ketë tolerancë për askënd.

“Është përgjegjësi e udhëheqësit të institucionit publik (ministri, komuna, ndërmarrje publike, agjenci etj.) dhe e pronarit të biznesit (në prodhim, restorant, shërbime, transport etj.) të sigurohen se janë marrë masat sipas këtij manuali. Mos përmbushja e këtyre masave rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe, rrjedhimisht, është e dënueshme. Nuk do të ketë tolerancë për askënd që shkel këto rregulla. Nuk mund të pësojmë si shoqëri për shkak të papërgjegjësisë së bartësve të institucioneve apo bizneseve që nuk i ndërmarrin masat mbrojtëse adekuate”, ka shkruar ai.

Në Kosovë deri tani janë regjistruar 2590 raste pozitive, prej të cilëve 1394 janë shëruar, 48 kanë vdekur./21Media