Hoti: Pagat në sistemin e drejtësisë nuk duhet të preken

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se pagat në sistemin e drejtësisë nuk duhet të preken.
Ai ka thënë se vendimi i sotëm i Qeverisë është joligjor.
“Në kohë krize, me inflacionin më të lartë në 30 vite, pagat duhet të rriten e jo të ulen. Pagat në sistemin e drejtësisë nuk duhet të preken. Vendimi i sotëm i Qeverisë është joligjor. Kjo çështje është shqyrtuar në shkurt 2020 kur është marrë vendimi për uljen e pagave vetëm për kabinetin qeveritar nga koalicioni i atëhershëm VV-LDK, e jo edhe për sistemin e drejtësisë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
“Këta që sot e kanë marrë këtë vendim, e dinë mirë se vendimi është joligjor. Deri në miratimin e ligjit të pagave, duhet të rriten pagat së paku sa norma e inflacionit pët arsim, shëndetësi, administratë, polici e FSK dhe sektorë të tjerë që janë me paga të ulëta”, ka shkruar tutje Hoti.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar vendimin e ish-Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët në vitin 2017.
Kryeministri Kurti tha se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm para datës së hyrjes në fuqi të vendimit për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar, rrjedhimisht edhe këtyre institucioneve të drejtësisë./21Media

Back to top button