Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë marrë pjesë në Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me koronavirus.

Pas takimit me komitetin, i pari i Qeverisë, Avdullah Hoti në një konferencë për media, njoftoi për disa vendime që do t’i ndërmarrin qysh në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.

“Kemi diskutuar për vendimet që do të merren qysh në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë (nëse ka nevojë për vendime ekzekutive), duke filluar nga reduktimi i punësimeve në institucione, duhet të kujdesen ata që kanë mundësi të punojnë nga shtëpitë. Do të mbyllen të gjithë sektorët ku ka raste të paraqitura. Duhet të aktivizohen shtabet lokale të komunave. Inspektorati sanitar do të marrë masa parandaluese në përputhej me ligjin, e kam fjalën për masat ndëshkimore. Inspektorët do të jenë 24 orë nëpër rrugë, nëse s’do të mbani maskë do të dënoheni me ligj. Jemi duke shikuar nëse duhet të vendoset për karantimin e disa vendeve ku ka më shumë raste të paraqitura. Do të ndalojmë grumbullimin në hapësira të hapura a të mbyllura për më shumë se 100 persona. Të gjitha resurset shtetërore i kemi marrë në dispocizion. Kemi kërkuar ta shtojmë numrin e infermierëve. Këto janë masa të cilat do të ndërmerren menjëherë nëpër ministritë përkatëse, por edhe në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës. Mesazhi i qartë që dua të japë para qytetarëve, jemi në rrezik nga vala e dytë, na ndihmoni që të mos kemi nevojë ta mbyllim komplet ekonominë siç ka ndodhur më herët”, tha Hoti.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u shpreh se MSH-ja po angazhohet ta kontrollojë situatën.

“Ju e dini që jemi në fazën e tretë të hapjes graduale dhe shumica e veprimtarive janë lejuar, kjo ka ndikuar që rastet të rriten, por ka rezultuar me rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë tretman në Qendrën Infektive”, deklaroi ai mes tjerash./21Media