Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti paralajmëron se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Kreu i ekzekutivit tha se pritet që masat e reja të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh.

Ai tha se i kupton shqetësimet e bizneseve, por se primar është “ruajtja e shëndetit publik”. Duke e pasur parasysh rritjen e numrit të rasteve me Covid-19 Hoti tha se vendi është gati në limitet e kapaciteteve në spitale.

“Jemi të detyruar të marrim masa që janë bukur drastike. I kemi ndërmarrë disa masa deri më tash, disa masa pak më strikte vikendin e kaluar dhe tash jemi duke i përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi sepse jemi duke i kryer disa konsultime të nevojshme brenda organizatave të ndryshme, me bizneset, me odat ekonomike, me grupe të ndryshme që i prekin kryesisht këto masa, por jemi të detyruar t’i ndërmarrim masa. Jemi duke i ndjekur protokollet që i kanë zbatuar edhe vendet e tjera, por ne jemi në një situatë më të vështirë për shkak të kapaciteteve të limituara në spitale, për të akomoduar të gjithë ata që kanë nevojë për shërbim spitalor. Duhet thënë që për vite të tëra nuk ka pasur rritje të kapaciteteve në spitale dhe pavarësisht përgatitjeve që i kemi bërë me rritje të kapaciteteve për testim ta zëmë, ose me përfshirjen e spitaleve nëpër regjione dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, edhe me rritjen e të punësuarve në institucionet shëndetësore, prapë është e pamundur që të përballojmë situatën. Prandaj, jemi të detyruar të shkojmë drejt masave ekstreme, përfshirë edhe mbylljen totale”, tha Hoti për Radio Evropën e Lirë

Hoti tutje tha se prioritet është jeta e qytetarëve, por gjithashtu, “unë besoj që po tregojmë edhe kujdesin e duhur edhe për aktivitetin biznesor, në mënyrë që të kenë mundësi bizneset, qytetarët, njerëzit të mbijetojnë, të sigurojnë të ardhurat e tyre për familje dhe mbijetesë, por mbi të gjitha është shëndeti”

Kreu i ekzekutivit tha se po mundohen të konsultohen vazhdimisht për masa që i kanë ndërmarr, dhe të njëjtën kohë, me aq sa kanë kapacitete, do t’ju ndihmojnë bizneseve gjatë kësaj periudhe të vështirë.

“Deri më tani janë 270 milionë euro që i kemi shpërndarë në forma të ndryshme te bizneset, përfshirë edhe këtë shumën e fundit para dy-tri javësh, prej 60 milionë eurosh që shpërndamë te bizneset bazuar në numrin e punëtorëve. Edhe për vitin e ardhshëm e kemi paraparë Fondin për rimëkëmbje ekonomike. Nuk janë masa që i marrim me dëshirë. Po mundohemi që të balancojmë gjërat në vendimmarrje, por duke e vendosur si prioritet shëndetin publik”, deklaroi Hoti./REL