Dy orë pas miratimit të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, kryeministri Avdullah Hoti ka mbajtur një konferencë për media, ku ka thënë se është i kënaqur që përmes miratimit të këtij ligji, Qeveria do të zbatojë pjesën më të madhe të programit për rimëkëmbje.

Më leni të ju informojë se gjatë këtij viti, shuma që është paraparë në buxhetin e Republikës së Kosovës është prej 365 milionë euro, janë shpërndarë deri tash shuma prej 280 milionë euro për biznese dhe qytetarë”, ka thënë Hoti.

Me ligjin që sot u miratua, e që fillon të zbatohet pas 8 ditëve, Hoti ka theksuar se futet në ekonomi një shumë prej rreth 600 milionë euro, shkruan rtv21.tv

Tash në dhjetor të vitit 2020 na e kemi të programuar në buxhet sivjet dhe vitin tjetër gati 1 miliard euro për të ndihmuar bizneset dhe ekonominë”, ka thënë tutje Hoti.

Hoti duke iu referuar studimit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar se Kosova renditet në mesin e vendeve me pakon më të madhe për rimëkëmbje ekonomike, që shkon vetëm këtë vit rreth 5% e bruto produktit vendor.

Tutje kryeministri ka thënë se në Ministrinë e Financave ka filluar puna për t’u zbatuar më pas nenet e Ligjit për Rimëkëmbje.

Poashtu ai ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të takohet me zyrtarë të Trustit.

Pas 8 ditëve kur Ligji të hyjë në fuqi, do të hapet sistemi online për t’u qasur në marrjen e 10 për qindëshit”, ka thënë Hoti./21Media