Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se të enjtën e ardhshme do ta shënohet Festa e Ditës së Falënderimit – Darka e Lamës.

“Festa e Darkës së Lamës është shumë e vjetër. Autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit. Në vitin 2002, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova e pati shpallur Festën e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës festë tradicionale shtetërore të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij “Facebook”.

I pari i Qeverisë tha se njësoj si të parët tanë në këtë ditë do ta falënderojmë Zotin.

“Në këtë ditë të rëndësishme, do ta falënderojmë Zotin për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe do t’i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë edhe më shumë të mira. Po ashtu, kjo ditë na përkujton se duhet t’i përkushtohemi edhe më shumë tokës së Kosovës dhe prodhimeve të shumta që na jep ajo”, ka shkruar tutje Hoti.

Kryeministri përkujtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ua ka dyfishuar ndihmat bujqve dhe prodhuesve të tjerë.

Sivjet, për shkak të rrethanave specifike të pandemisë COVID 19, Hoti tha se këtë festë do ta shënojmë në mënyrë simbolike, me një numër të kufizuar të të ftuarve.

“Në të ardhmen, këtë festë kulturore të traditës sonë të begatë do ta shënojmë së bashku, dhe me miqtë tanë të shumtë, ashtu siç e shënonim në kohën e Presidentit Rugova, ashtu siç e kanë shënuar të parët tanë! Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe të mirat e saj”, ka shkruar ai./21Media