Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot në 25 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë u shpreh se populli i Kosovës, që e përjetoi edhe vetë gjenocidin serb gjatë viteve 1998-’99, bashkëndien me popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës!

“Barbaria që ndodhi më 11 korrik 1995 në Srebrenicë, paralajmëroi se tragjedi të tilla përmasash apokaliptike mund të ndodhin edhe më vonë dhe për fat të keq ato ndodhën! I ndodhën edhe popullit të Kosovës, i cili, po ashtu, pësoi vuajtje dhe tragjedi të mëdha nga i njëjti agresor që në prag të shekullit XXI, me qëllim të mbizotërimit në rajon, po synonte zhbërjen e etnive të tjera. Por, ndonëse me vonesë, pasi kishin ndodhur shumë gjakderdhje, ndërsa qindra-mijëra jetë njerëzish ishin shuar, bota demokratike ndërhyri për t’i shpëtuar popujt e shtypur dhe për ta ndalur njëherë e përgjithmonë makinerinë e Millosheviqit.”, është shkruar në mesazhin e kryeministrit Hoti.

Bosnja e Hercegovina sot shënon 25 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8 mijë burra dhe djemë myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara./21Media